Jonas Vingegaard merr fanellën e kuqe

Çiklizëm

Jonas Vingegaard merr fanellën e kuqe

Më: 28 gusht 2025 Në ora: 17:14
Jonas Vingegaard

Skuadra UAE-Emirates ka fituar etapën e pestë të Vuelta-s, një kronometër ekipore prej 24.1 kilometrash në terren të sheshtë në Figueres të Katalonjës, duke shënuar kështu fitoren e 74-të të sezonit. I pari që kaloi vijën e finishit për ekipin nga Emiratet ishte spanjolli Juan Ayuso, që tregoi një formë shumë të mirë.

Ai, së bashku me portugezin Joao Almeida, po synon renditjen e përgjithshme në këtë edicion të Vuelta-s.

Gara ishte shumë e ngushtë në kohë: UAE e përfundoi etapën në 25 minuta e 26 sekonda, me një mesatare prej 57 km/h, duke lënë pas për 8 sekonda ekipin Visma të Vingegaard, për 9 sekonda Lidl-Trek me Ciccone dhe Pedersen, për 12 sekonda Red Bull-in e Hindley dhe Pellizzari-t, dhe për 16 sekonda Ineos-in e Bernal dhe Ganna-s.

Jonas Vingegaard, danezi që cilësohet si favoriti kryesor për këtë edicion të Vuelta-s, ka veshur sërish fanellën e kuqe.

Pas tij, në vendin e dytë renditet Ayuso me 8 sekonda diferencë, ndërsa Ciccone ndodhet në vendin e pestë me 9 sekonda diferencë.

Në kronikën e garës, u shënua edhe një rrëzim i rëndë i çiklistit Matteo Sobrero (Red Bull), i cili arriti të përfundonte etapën edhe pse ishte dukshëm i lënduar.

Po ashtu, gjatë zhvillimit të kronometrit, disa protestues propalestinez tentuan të bllokonin ekipin Israel–Premier Tech gjatë garës së tyre. Vuelta do të vijojë sot me etapën e gjashtë: 170 kilometra nga Olot deri në Pal, Andorrë, me një përfundim në ngjitje. Aktiviteti do përmbyllet të dielën, më 14 shtator, në Madrid.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat