OAK kërkon nga ASK që të mos ketë vonesa në publikimin e raporteve të statistikave vendore

Ekonomi

OAK kërkon nga ASK që të mos ketë vonesa në publikimin e raporteve të statistikave vendore

Më: 30 dhjetor 2020 Në ora: 14:58
OAK

Oda e Afarizmit të Kosovës ka kërkuar sot nga Agjencia e Statistikave të Kosovës të mos ketë vonesa në publikimin e raporteve për vlerësimin e gjendjes në vend, por kjo të bëhet në kohë reale, pasi mungesa e informacioneve në kohë reale po e vështirëson punën e bizneseve, qytetarëve dhe institucioneve.

“Jemi dëshmitarë se mospublikimi i raporteve dhe vonesat e tilla janë duke ndodhur nga ASK, kur dihet se vetëm në dhjetor është publikuar Anketa e Fuqisë Punëtore për tremujorin e dytë 2020 (gjegjësisht me datën 22.12.2020), përderisa, Shqipëria Anketën Tremujore të Forcave të Punës për TM2 e ka publikuar më 10 shtator 2020. Në kohën kur është publikuar nga ASK, TM2 2020 realisht do të duhej të publikohej TM3, 2020. Ndërsa edhe këto të dhëna të grumbulluara nga terreni, janë bërë në muajin korrik dhe gusht dhe jo gjatë kohës së vrullit me raste të pandemisë”, thuhet në një komunikatë për media.

OAK thotë se një gjë e tillë nuk është duke ndodhur në asnjë vend të rajonit dhe si shembull merret Maqedonia me numër të popullsisë pothuajse të njëjtë me Kosovën, por që Enti i Statistikave i këtij vendi tashmë ka publikuar edhe tremujorin e tretë 2020 – më 04.12.2020 derisa njësoj ka vepruar edhe Enti i Statistikave të Shqipërisë që tashmë ka publikuar raportin e Anketës së Fuqisë Punëtore për tremujorin e tretë me statistikat përkatëse më datën 10.12.2020.

“Njësoj si Kosova edhe vendet e rajonit kanë qenë duke u ballafaquar me pandeminë globale COVID-19, por përkundër kësaj nuk kanë munguar raportet e tyre statistikore ashtu siç kanë qenë të planifikuara. Kësisoj, vende e rajonit po arrijnë t’iu ndihmojnë qytetarëve, bizneseve, institucioneve etj., për t’u pajisur me informacione të dorës së parë për gjendjen reale dhe për të ndërmarrë hapa konkret varësisht nga gjendja e krijuar në vend”, përfundon komunikata e OAK-ut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat