Pandemia thellon problemet e punëtorëve

Ekonomi

Pandemia thellon problemet e punëtorëve

Më: 1 maj 2021 Në ora: 11:25
Ilustrim

Punëtorët në Kosovë vazhdojnë të përballen me probleme në pagë, siguri në vendin e tyre të punës dhe mungesë të respektimit të të drejtave të tjera të tyre, vlerësojnë kështu përfaqësues të punëtorëve dhe hulumtues të fushës. E përhapja e Covid-19 në Kosovë dhe kriza e shkaktuar si pasojë e pandemisë veç sa ka thelluar problemet e punëtorëve. Shumë persona humbën vendin e tyre të punës gjatë pandemisë, disa përgjysmuan orarin e të tjerë punuan nga shtëpia, duke u krijuar kështu një realitet i ri, i vështirë si për punëtorët ashtu edhe për bizneset.

Në një përgjigje për KosovaPress, Agjencia e Statistikave të Kosovës tregon të dhënat se deri në vjeshtën e vitit të kaluar janë të regjistruar mbi 125 mijë persona të papunë.

Gjatë pandemisë pranë Agjencisë së Punësimit është rritur numri i qytetarëve të regjistruar si të papunë.

Sipas të dhënave në Agjencinë e Punësimit në Kosovë, vetëm në katër muajt e parë të vitit 2020 janë regjistruar mbi 37 mijë persona të papunë.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Punëtorëve të Kosovës, Avni Ajdini thotë se pandemia ka goditur më së shumti sektorin privat

Ajdini: Pandemia ka goditur më së tepërmi sektorin privat

“Në sektorin privat zakonisht kjo e ka prekë më së tepërmi, edhe pse me ekonomi të pa zhvilluar kemi qenë dhe kjo na u dashtë që kjo punë na qoi në një sfidë më të rëndë në këtë drejtim. Mirëpo konsideroj se deri në fund të vitit do të filloi rimëkëmbja e ekonomisë që kjo epidemi do të ikë duke i marrë këto vaksina që janë premtuar dhe besoj që do të startojmë me rifillimin e një ekonomie më efikase”, thotë Ajdini.

Ai thotë se punëtorët përballen me probleme të ndryshme, sa i përket të drejtave, lirive dhe sigurisë së tyre në punë.

Ajdini: Shkelja e punëtorëve bëhet nga qeveria

“Gjithmonë shkelja bëhet nga qeveria të punëtorët, shkelësit më të mëdhenj të ligjit janë funksionarët tanë, sepse gjatë fushatave premtojnë, kur të lirohen nuk realizojnë dhe kjo ecë shkallë pas shkalle dhe humb besimi edhe të personat të cilët i kemi në udhëheqje”, thotë ai.

Ajdini bën të ditur se ka kërkuar takim me kryeministrin e Kosovës për të diskutuar, siç thotë ai, për kërkesat e punëtorëve.

Ai thotë se nga qeveria kërkojnë pagën minimale 350 euro, marrëveshjen kolektive, sigurimin shëndetësor, skemën pensionale dhe nivelimin e pagave sipas ligjit.

Ndërsa Jeton Mehmeti, hulumtues në Institutin GAP thotë për KosovaPress se muajt e parë të pandemisë kanë vërejtur trefishim të numrit të punëkërkuesve.

Mehmeti: Numri i punëkërkuesve gra është i barabartë me punëkërkuesit burra

“Në muajin prill kur kanë filluar efektet e para të pandemisë, flas për vitin e kaluar, shohim një trefishim të numrit të punëkërkuesve dhe ka arritur duke shkuar në 100 mijë dhe pastaj janë rritur në 198 mijë gjatë muajit shtator. Dhe ajo çfarë vërehet nga të dhënat kur i zbërthejmë ato është që numri i punëkërkuesve gra është i barabartë me punëkërkuesit burra, që nënkupton se edhe gratë kanë humbur vendet e punës dhe janë ballafaquar me të njëjtat sfida”, thotë ai.

Mehmeti nga Instituti GAP thotë se punëtorët në Kosovë vazhdojnë të kenë probleme me pagat, sigurinë dhe të drejtat e tjera të tyre.

Mehmeti: Punëtorët në Kosovë ballafaqohen me probleme në pagë dhe siguri në vendin e punës

“Punëtorët në Kosovë ballafaqohen me shumë vështirësi sidomos në aspektin e të drejtave të tyre, në aspektin e sigurisë në vendin e punës, në aspektin e pagës. Siç e dini në sektorin privat është mjaftë e ulët dhe pandemia vetëm sa i ka dyfishuar në mos edhe më shumë këto vështirësi me të cilat ballafaqohen punëtorët, sidomos në sektorin privat. Ka qenë shumë më e lehtë për kompanitë t’i largojnë punëtorët pa paralajmërim dhe ato pak vende të punës që kanë ekzistuar në Kosovë edhe në ato situata është bërë edhe më keq duke qenë se numri i atyre që futën në tregun e punës çdo vit është mjaft i madh”, thotë ai.

Mehmeti vlerëson se duhet filluar procesi i identifikimit të nevojave që kanë punëtorët, përfshirë ata që kanë një marrëdhënie të punës dhe ata që e kanë humbur vendin e tyre të punës.

25 mijë të rinj çdo vit i futën tregut të punës në Kosovë.

Papunësia më e theksuar është te femrat me 33.1%, krahasuar me meshkujt, 21.5%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 46.9%

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat