Murati pas lansimit të platformës EDI të ATK-së: Kursen paratë për bizneset dhe rrit transparencën

Ekonomi

Murati pas lansimit të platformës EDI të ATK-së: Kursen paratë për bizneset dhe rrit transparencën

Më: 6 maj 2021 Në ora: 17:21
Pamje nga takimi

Është lansuar përditësimi i platformës “EDI” të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) për deklarimin dhe pranimin elektronik të pasqyrave financiare nga ana e bizneseve.

Në lansimin e modulit “EDI” u tha se kjo platformë do të rrisë transparencën për bizneset si dhe shpejton kryerjen e shërbimeve në ATK.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se ky modul në këtë platformë është vetëm një hap drejt një digjitalizimi të tërësishëm të proceseve në ATK.

Murati theksoi se do ta mbështesin gjithnjë digjitalizimin, sidomos edhe për deklarimin e të ardhurave personale, pasi siç tha ai misioni kësaj qeverie është që të rritet transparenca, por njëkohësisht edhe efikasiteti i institucioneve publike.

Murati: Digjitalizimi kursen paratë për bizneset dhe rrit transparencën

“Përveçse digjitalizimi e zvogëlon barrën administrative përmes digjitalizimit të procesit për administratën publike, po ashtu kursen kohën dhe parat për bizneset, e rrit transparencën. Me transparencë dhe me ndarje të të dhënave mund të bëhen edhe analiza dhe raporte të ndryshme për sa i përket gjendjes ekonomike, po ashtu edhe atmosferës biznesore në Kosovë. gjithashtu ofron edhe një veti të objektivitetit për shkak se procesi digjital shton integritetin e procesit, deklarimit, sepse çdo ndryshim pastaj regjistrohet”, theksoi Murati.

Ndërsa, ambasadori gjerman në Prishtinë, Joern Rohde tha se me ndihmën e “EDI”, bizneset tani mund të deklarojnë taksat në mënyrë elektronike.

Rohde: Hap i rëndësishëm drejt mbledhjes më efektive të taksave

“Është një hap i rëndësishëm drejt mbledhjes më efektive të të ardhurave, gjë që është thelbësore për zhvillimin e politikave dhe shërbimeve për qytetarët e Kosovës. Në të njëjtën kohë, ky hap është gjithashtu thelbësor për të mundësuar institucionet që të përdorin dhe publikojnë të dhëna në përputhje me kërkesat ndërkombëtare të transparencës... Ekzistojnë mundësi të mëdha në rritjen e transparencës së mjedisit ekonomik, duke ia kthyer këtë informacion bizneseve dhe duke e ndarë atë me institucionet qeveritare dhe akademike”, tha Rohde.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të ATK-së Ekrem Hysenaj tha se ky institucion është në vijim edhe të modernizimit të sistemit të ri të teknologjisë informative sipas kërkesave të ATK-së që do të mundësojë automatizimin e fushave kryesore, operacionet e mbledhjes së tatimeve, menaxhimin strategjik të ATK-së si dhe përkrahjen e funksioneve administrative të lidhura me proceset kyçe të ATK-së.

Hysenaj: ATK po krijon kushte për ta bërë përmbushjen vullnetare më të lehtë

“Administrata tatimore vazhdimisht është duke krijuar kushte për ta bërë përmbushjen vullnetare më të lehtë. Jemi të përkushtuar të bëjmë reforma në shërbimet tona ku fokusi kryesor është ofrimi i lehtësirave për tatimpaguesin e që kjo nënkupton edhe digjitalizimin e proceseve, shërbimeve dhe punës. Aktualisht gjatë kësaj periudhe, në këtë tremujor, kemi arritur që të bëhet e mundur edhe ofrimi i shërbimit elektronik, i cili ndërlidhet me pranim dorëzimin e pasqyrave financiare”, tha Hysenaj.

Drejtues të Ministrisë së Financave theksuan platforma e një funksionimi të ri të ATK-së, është falë shtetit gjerman që ka dhënë mbështetjen e fuqishme për shtetin e Kosovës në të gjitha sferat, por në veçanti edhe për digjitalizim përmes GIZ-it gjerman.

Ndryshe, ATK nga viti në vit ka avancuar në ‘e-projketet’ duke rritur numrin e shërbimeve online ku deri më tani ofrohen rreth 50 shërbime online. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat