MINT subvencionon bizneset me 3 milionë e 650 mijë euro

Ekonomi

MINT subvencionon bizneset me 3 milionë e 650 mijë euro

Më: 27 gusht 2021 Në ora: 21:04
Foto ilustrim

MINT ka shpallë tri grant/skema për subvencionim të bizneseve, në vlerë prej 3 milionë e 650 mijë eurosh

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT)/KIESA, njofton se ka shpallë tri thirrje publike për subvencionim me mjete financiare për Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM), bizneset që do të krijohen Start-Up, në vlerë prej 3,650,000.00 (tre milionë e gjashtëqind e pesëdhjetë mijë) eurosh.

Të gjithë aplikuesit sipas MINT që do të kualifikohen për mbështetje financiare do të financohen përmes grant-skemave, të ndara sipas kategorive.

1. Në kategorinë “Thirrje publike për financimin e Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme në fusha specifike” do të përkrahen bizneset në ngritjen e kapaciteteve profesionale, stimulimin dhe përmirësimin e proceseve të punës, zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve të reja, qasjen në financa dhe rritjen e potencialit për eksport. Për këtë kategori janë ndarë 2,000.000.00 (dy milionë) euro.

Në këtë kategori do të financohen ndërmarrjet e këtyre profileve:

- Ndërmarrjet për prodhimin dhe përpunimin e produkteve ushqimore;

- Ndërmarrjet në sektorin e përpunimit të drurit;

- Ndërmarrjet në sektorin e përpunimit të metaleve;

- Ndërmarrjet në sektorin e përpunimit të tekstilit;

- Ndërmarrjet në sektorin e përpunimit të produkteve të plastikës;

- Ndërmarrjet në sektorin e turizmit dhe sektorë të tjerë shërbyes.

2. Në kategorinë “Thirrje publike për financimin e bizneseve, që do të krijohen Start-Up me Spin – off dhe bizneseve fillestare Start-Up, për përkrahje të projekteve Inovative” do të përkrahen direkt me mjete financiare bizneset që do të krijohen në Start-Up me Spin-off, si dhe bizneset fillestare Start-Up, të themeluara 3 muaj deri në 3 vite më parë. Për këtë kategori janë ndarë 1,150,000.00 € (një milion e njëqind e pesëdhjetëmijë) euro.

3. Në kategorinë “Thirrje publike për subvencionim të NVM-ve për blerjen e makinerive prodhuese /përpunuese” do të subvencionohen me mjete financiare Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM). Për këtë kategori janë ndarë 500,000.00 (pesëqind mijë) euro.

Synimi kryesor i gjithë grant-skemës është që nëpërmjet përkrahjes financiare t'iu mundësohet aplikantëve të jetësojnë idetë dhe projektet e tyre inovative dhe t'i shndërrojnë ato në plane të arritshme, ku do të kenë ndikim në rritjen e konkurrueshmërisë, punësimit, ngritjen e cilësisë së prodhimeve, shërbimeve, përpunimeve apo proceseve, që kanë për qëllim zvogëlimin e deficitit tregtar dhe përmirësimin e kapaciteteve prodhuese të ndërmarrjeve dhe rritjen e eksportit.

Aplikimi për grante për të gjithë qytetarët dhe bizneset do të bëhet përmes Platformës së shërbimeve elektronike eKosova, që do të jetë e hapur prej datës 26.08.2021 e deri më datën 15.09.2021.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë i inkurajon të gjitha bizneset, bizneset fillestare ‘Start-Up’ dhe personat fizikë, të aplikojnë për mbështetje financiare përmes kësaj grant/skeme.

Informatat më të hollësishme/udhëzimin për aplikim dhe formën e aplikimit mund t’i gjeni në këtë link: https://ekosova.rks-gov.net/Service/32

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat