INDEP: Shteti ende nuk ka bërë sa duhet për konsumatorët në nevojë

Ekonomi

INDEP: Shteti ende nuk ka bërë sa duhet për konsumatorët në nevojë

Më: 4 nëntor 2021 Në ora: 13:41
Foto ilustrim

Ngritja e çmimeve të jashtëzakonshme të rrymës dhe e produkteve të tjera bazike ka vështirësuar jetën e qytetarëve, për të cilët shteti ende nuk ka bërë sa duhet për mbrojtjen e tyre.

Kështu ka thënë Dardan Abazi, hulumtues i lartë në Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në tryezën e diskutimit “Ngritja e çmimeve në treg dhe mbrojtja e konsumatorit”.

Abazi theksoi se ankesat e konsumatorëve janë të shumta për rritje të çmimeve të paparalajmëruara nga tregtarët, siç u shpreh ai në disa raste ka edhe dyshime për këto shtrenjtime me marrëveshje të ndaluar.

“Ngritja e çmimeve të jashtëzakonshme që është bërë në këtë kohë të fundit, sa i përket ngritjes së çmimeve të energjisë dhe të produkteve bazike ka bërë që një pjesë e madhe e konsumatorëve të zgjedhin në mes të të ngrënit dhe edukimit apo kryerjes së shpenzimeve të tjera. Shumë konsumatorë janë në nevojë për të cilët shteti ende nuk ka bërë sa duhet në mënyrë që të përballohet kjo krizë. Ne si konsumator kemi brenga dhe këto ankesa po i marrim dit pas dite në kanalet e Institutit INDEP. Një pjesë e madhe e konsumatorëve po ankohen për çmimet të cilat po shtrenjtohen pa paralajmërim dhe përnjëherë në sektor të caktuar për të cilët ka dyshime se po ndodhin përmes marrëveshjeve te ndaluara”, tha ai.

Në anën tjetër, çuditërisht numri i ankesave nga konsumatorët që kanë adresuar në Ministri të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë(MINT) është tejet i ulët.

Sipas kësaj ministrie nga janari i këtij viti e deri më tash janë paraqitur vetëm 19 ankesa, derisa prej se janë rritë çmimet nuk ka më shumë se 4 ankesa nga konsumatorët.

Këtë numër të pakët të ankesave e ka arsyetuar udhëheqësi i Departamentit të Tregtisë në MINT, Zef Dedaj, i cili tha se qytetarët duket se janë të vetëdijshëm që këto rritje të çmimeve kanë ardhur si pasojë e importit të mallrave.

“Sipas platformës që funksionon në kuadër të departamentit për mbrojtjen e konsumatorit në MINT, faktikisht nga janari i këtij viti e deri më tani janë adresuar gjithsejtë 19 ankesa nga konsumatorët. 9 nga to janë mbi dyshimet e karteleve, ndërsa 10 prej tyre janë për ngritjen e çmimeve. Është shumë interesant, se vetëm nga shtatori janë adresuar vetëm 4 raste. Pra, janë pak, por po mendoj se konsumatorët po e kuptojnë një gjë që po e importojmë këtë rritje të çmimit. Këto 19 raste janë adresuar te autoriteti i konkurrencës, nuk kam informacione se çka ndodhur me këto raste”, theksoi Dedaj.

Dedaj në këtë tryezë theksoi se është evidente se ka rritje të çmimeve, të cilën ngritje ai e quajti si shqetësuese, por sipas tij, kjo po diktohet nga importi i mallrave nga jashtë.

“Rritja e çmimeve për lëndë djegëse dhe naftës me automatizëm është shoqëruar me rritjen e çmimit të transportit, e kjo e ka afektuar edhe Kosovën. Tek rritja e energjisë që u theksua, fatmirësisht ne nuk kemi rritje të çmimit të energjisë, por gjithsesi nëse produktet si lëndë të parë janë prodhuar dhe janë afektuar nga rritja e çmimeve të energjisë në treg, ne pa dyshim se jemi afektuar nga kjo. Por, fatmirësisht s’kemi rritje të çmimit të energjisë në Kosovë… Rritja e çmimeve është vërtetuar edhe nga ASK-ja e cila në shtator ka arritur në 4.9 përqind dhe këtë e konfirmojmë edhe ne si ministri përmes analizave nëpër terren. Por, gjithsesi se është shqetësuese. Një informacion që e kam marrë këto ditë që transporti nga Kina për në Durrës aktualisht arrin vlerën në 19 mijë dollarë, e cila para kësaj krize ka qenë përafaqrisht 2500. Produktet janë kryesisht ato bazike të cilat janë shtrenjtuar në Kosovë, është rritë çmimi i bukës, drithërat, mishi, qumështi, djathi, vezët e shumë e shumë produkte të tjera bazike për të cilat Kosova është e varur nga këto produkte të cilat janë të importuara dhe rrjedhimisht e trashëgojmë çmimin”, tha ai.

Drejtori në Agjencinë e Konkurrencës, Sakip Imeri ka thënë se sa i përket vajit nuk ka pozitë dominuese në treg, derisa tha se janë të hapura hetime ndaj KEDS-it dhe KESCO-s.

“Ne kemi bërë hulumtimin e tregut në mënyrë të veçantë hulumtimin e tregut të vajit, ky ka qenë shqetësimi në 6 mujorin e parë të vitit 2021 dhe nga ky shqetësim ne kemi ardhur me një rezultat se Kosova nuk ka prodhues të vajit, kjo është një situatë për keqardhje. Për këtë produkt ka vetëm importues dhe ambalazhues të vajit… Në Kosovë nuk ka pozitë dominuese ose kompani të fuqishme që e importojnë këtë produkt. Nga analiza jonë ka dalë se nuk ka pozitë dominuese dhe rrjedhimisht nuk ka edhe keqpërdorim… Marzha e kompanive që e importojnë dhe e shesin këtë produkt sillet prej 1 deri 8 përqind… Si autoritet jemi duke u munduar me ushtruar funksionet tona përkundër mungesës së bordit që e kemi prej qershorit dhe mundësitë e marrjes së vendimeve për hapjen e hetimeve dhe mbylljen e hetimeve ekzistuese që i kemi, silur në rastin e energjisë ose të dy kompanive KEDS dhe KESCO në hetim, nuk ka mundësi të mbyllen në mungesë të bordit, por edhe nuk ka mundësi të hapen hetime të reja, sepse është vendimmarrje kolektive”, tha ai.

Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi tha se kriza energjetike dhe rritja e çmimeve të rrymës ka prekur më së shumti bizneset.

Rukiqi ka inkurajuar bizneset për rritjen e pagave për punëtorët, derisa theksoi se disa kompani veç janë duke bërë një gjë të tillë.

“Ta kemi parasysh kjo është një ndër pjesët më të ndjeshme në këtë krizë, edhe normalisht që kërkon politikë aktive të të gjithë akterëve në mënyrë që mos të futemi në një krizë e cila pastaj mund të ndikoj edhe në furnizim të rregullt me energji elektrike dhe këtu është ajo pjesa që pastaj bizneset preken më së shumti, tek kostoja e energjisë… Bizneset një pjesë e madhe e tyre kanë bërë një rritje të pagave ose një rregullim të pagave në raport me inflacionin. Kjo varet prej politikave të kompanisë, normalisht unë nuk mund t’i përzihemi, por i inkurajoj që edhe të tjerët ta bëjnë për shkak se e mban punëtorin e motivuar”, theksoi Rukiqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat