​Kompanitë nga Shqipëria synojnë zgjerimin e tregut në Kosovë

Ekonomi

​Kompanitë nga Shqipëria synojnë zgjerimin e tregut në Kosovë

Më: 5 dhjetor 2021 Në ora: 10:15
Ina Selfo

Produktet e mishit të kompanisë “Hako”, janë prezantuar edhe para shumë bizneseve të gjashtë vendeve të ballkanit. Kompania 27 vjeçare, produktet e së cilës gjenden tashmë edhe në raftet e marketeve në Kosovë, ka zhvilluar takime për katër ditë radhazi me biznese të huaja, me qëllim të zgjerimit të tregut.

Përgjegjësja e departamentit të shitjes, Ina Selfo thotë se mision kanë zgjerimin e tregut në gjitha zonat e Kosovës.

Selfo: Kemi kënaqësinë të futemi në tregun e Kosovës

“Kompania ‘Hako’ është një kompani që tregton produkte të sallamës, aktualisht ne punojmë në Shqipëri dhe kemi kënaqësinë që të futemi edhe në tregun e Kosovës. Kam kënaqësinë që kam marrë pjesë në këtë panair në mënyrë që të prezantohem edhe tek Ballkani në përgjithësi përveç Kosovës, ndërkohë edhe me Kosovën patëm kënaqësinë të lidhemi me individë të tjerë me biznese të tjera me të cilat mund të zgjerojmë prezencën tonë në Kosovë ne kemi vetëm pak muaj në Kosovë por më duket që po ec me një ritëm shumë të mirë dhe në çoftë se me këtë lidhje që po prezantohemi këtu kemi mundësi ta thellojmë më tepër marrëdhënien me juve”, thotë ajo.

Sipas saj, është e rëndësishme që të jenë pjesëmarrës në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës me qëllim të largimit të barrierave në lëvizjen e mallit.

Selfo: Një treg më i madh do të thotë më tepër mundësi

“Një treg më i madh do të thotë më tepër mundësi, kompania jonë disponon kapacitete të mëdha që mund të suportojë me prodhim edhe më gjerë. Kjo është arsyeja primare që ne jemi këtu, tregu i Kosovës është thjesht në fillimet e veta dhe po duket trend shumë pozitiv, në çoftë se me këtë natyre pune me këtë mënyrë koncept konsumatori dhe shije konsumatori, ne jemi një kompani që ecim mbi shijet e konsumatorit. Ballkani ka shije të ngjashme dhe kemi fatin e mirë eksperiencën që e përdorim në Kosovë ta përdorim edhe në shtetet e rajonit”, shton ajo.

Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, për katër ditë sa ka zgjatur panairi, kompania “Hako” nuk ka pasur stendë për prezantimin e produkteve. Megjithatë, kanë zhvilluar takime “Biznes-to-Biznes”, me kompani të njohura ballkanike.

Selfo: Ne kemi 27 vjet në treg

“Ne kemi 27 vite në treg, besoj vite të mjaftueshme për të konsoliduar në vendin tonë, kjo është arsyeja se pse mund ta kishim bërë hapin edhe më herët por kur ti je në pozitat e duhura në shtëpinë tënde ke mundësi të dalësh jashtë saj. Kështu që panairi është i orientuar në lidhje biznes për biznes dhe jo për publikun e gjerë se publiku të njeh aktualisht konsumatori final është i orientuar për të bërë biznese dhe për të bërë partneritete për të ndërlidh ura për të shpërndarë kanale të produkt më gjerë që kjo prandaj është i përshtatshëm për bizneset që duan dhe kanë duan të marrin hapa inovativ për të konektuar për një treg më të madh”, ka thënë ajo.

Panairi më i madh Ndërkombëtar i Biznesit është organizuar nga Klik Ekspo Group në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Ky panair ka bërë bashkë kompani të shumë fushave nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Agjencia e Lajmeve-KosovaPress dhe Agjencia Telegrafike Shqiptare kanë qenë sponsor medial i këtij panairi. Të dy këto me stendat e tyre ishin pjesëmarrëse në Panairin Ndërkombëtar të Biznesit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat