​“Vreshti i Pashait”, vendi ku prodhohen verërat me shekuj

Ekonomi

​“Vreshti i Pashait”, vendi ku prodhohen verërat me shekuj

Më: 5 dhjetor 2021 Në ora: 10:16
Albert Gajo

Në vreshtat përgjatë luginës së Sarandaporit në Leskovik, po mblidhen kokrra rrushi për prodhimin e verës dhe rakisë. “Vreshti i Pashait”, është një zonë e njohur, e cila me shekuj kultivon vreshta, gjë që ia mundëson edhe përbërja minerale e tokës, terreni gjeografik dhe mikro-klima. Verërat e kësaj kantine nga Shqipëria janë shijuar edhe nga shumë vizitorë nga bota, që morën pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës.

Prodhuesi Albert Gajo tregon për punën që po bëjnë tash e pesë vjet në kultivimin dhe ruajtjen e traditës së prodhimit të rrushit.

Gajo: Vreshti i Pashait është një nga zonat më të njohura të Shqipërisë

“Është një nga zonat më të njohura të Shqipërisë sa i takon traditës së prodhimit të rrushit dhe të vreshtave. Është Leskoviku, sepse është një nga zonat që tradicionalisht ka pasur vreshta të konsiderueshme. Dhe njerëzit kanë me vjet, me shekuj që merren me kultivimin e vreshtave, kjo për shkak sepse terreni gjeografik, përbërja minerale e tokës dhe mikro-klima janë perfekte për prodhimin e vreshtave të rrushit”, thotë ai.

Pranë stendës në katin e dytë të Pallatit të Kongreseve, për katër ditë radhazi kanë qenë të ekspozuara llojet e rakisë dhe verërave që prodhon kjo kantinë.

Gajo: Kjo është hera e parë që marrim pjesë në këtë panair

“Është e rëndësishme sepse ballafaqohesh drejtpërdrejt me klientët të cilët nuk i ke përzgjedhur vet dhe që janë klientë të ndryshëm të cilët kanë një lloj eksperience në drejtim të degustimit të verërave dhe të produkteve shqiptare. Aq më tepër kjo është për ne e rëndësishme, jo aq sa për të krijuar një mundësi për të shitur, por është që brendi “Vreshtat e Pashait” të njihet për klientët shqiptar, por edhe për ato në rajon”, thekson ai.

Kantina “Vreshti i Pashait”, tash e gjashtë vjet po prodhon pijet më të mira nga jug-lindja e Shqipërisë.

Gajo: Janë verëra të prodhuara në dy-tre vjetet e fundit

“Kemi pesë-gjashtë vjet që kemi filluar të operojmë në bazën e një investimi që kemi bërë në jug-lindje të Shqipërisë, në Leskovik. Dhe në bazën e saj ndërtuam një kantinë, të cilës ia kemi dhënë edhe emrin e veçantë “Vreshtat e Pashait” për të krijuar mundësinë e ruajtjes së ecurisë së traditës shqiptare për prodhimin e rrushit dhe produkteve të verës dhe rakisë... Janë vera të prodhuara në dy-tre vjetet e fundit, për shkak se edhe kantina është e re. Kështu që ne nuk bëjmë shumë dallime sa i përket vjetërsisë, cilësisë, sepse ne në momentin që i ambalazhojmë në shishe, ne jemi përpjekur që të ruajmë standardin më të mirë të cilësisë së verërave”, përfundon ai.

Mbi 200 kompani nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të tjera kanë marrë pjesë që nga e mërkura në Panairin Ndërkombëtar të Biznesit. Ky është edicioni i 27-të dhe organizohet nga Klik Ekspo Group.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat