​Mbahet Forumi Mbarë Shqiptar, premtohen investime në Luginë dhe Mal të Zi

Ekonomi

​Mbahet Forumi Mbarë Shqiptar, premtohen investime në Luginë dhe Mal të Zi

Më: 21 dhjetor 2021 Në ora: 14:41
Berat Rukiqi

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka mbajtur takim me anëtarët e Forumit Ekonomik Mbarë Shqiptar (FEMSh). Aty u tha se fokus mbetet rritja e ndikimit të ndërmarrjeve në të gjitha trojet shqiptare. Ndërkohë u premtua edhe investim konkret në Luginën e Preshevës dhe Malit të Zi.

Kryetari i OEK-ut Berat Rukiqi, së bashku me kryetarin e FEMSh-së Nagib Fejzi, dhe anëtarët e këtij forumi kanë mbajtur takimin gjatë së martës, ku u tha se janë duke u shikuar mundësitë që ky forum të kthehet në mekanizëm investiv.

Rukiqi: Fokusi është në rritjen e ndikimit të ndërmarrjeve shqiptare

“Takimi është ende në vijim e sipër, jemi duke i definuar objektivat zhvillimore të forumit. Fokusi është rritja e ndikimit të ndërmarrjeve shqiptare kudo që janë ato, jo vetëm të trojeve të hapësirës juglindore, por edhe të pjesës të vendeve ku veprojnë shqiptarët në diasporë. Por në të njëjtën kohë të shikojmë mundësitë se si mekanizmi të kthehet në mekanizëm investiv, të bashkojë forma të rëndësishme ekonomike të shqiptarëve në rajon. Modalitetet jemi duke i diskutuar, duke i trajtuar”, u shpreh ai.

Ky forum, sipas Rukiqit, është mekanizmi më i fuqishëm për projekte të përbashkëta të shqiptarëve.

Rukiqi: Sa më parë të kemi një investim konkret në Luginë dhe në Mal të Zi

“Ndër idetë e para është që sa më parë të kemi një investim konkret në pjesën e hapësirës shqiptare në Serbi, në Luginë. Dhe në pjesën e Ulqinit dhe pjesës tjetër të Malit të Zi. Edhe normalisht shohim edhe projekte të tjera të cilat janë me rëndësi për zhvillimin e turizmit shqiptar, për zhvillimin e agro-biznesit dhe të projekteve të tjera në energji, në prodhim e kështu me radhë”, shtoi ai.

E, drejtuesi i Forumit Shqiptar për Zhvillim Ekonomik në Serbi, Muharrem Salihu theksoi se tash e pesë vjet kanë për qëllim krijimin e vendeve të punës në këtë anë.

Salihu: Forumi Ekonomik ka për synim krijimin e vendeve të punës

“Për synim ka pasur krijimin e vendeve të punës, si kusht për ndërprerjen e hemorragjisë së shpërnguljes me metoda nga më të ndryshmet. Sot ky forum ndihet edhe më i fuqishëm sepse bëhet pjesë e emëruesit të përbashkët që është forumi i parë shqiptar. Këtu gravitojnë odat ekonomike dhe në rajon dhe ne do të vazhdojmë të japim kontributin tonë në hapësirën tonë kombëtare”, ka thënë ai.

Në kuadër të këtij forumi, ka anëtar edhe nga diaspora. Kështu, Artin Hani nga Vjena tha se kjo u ndihmon për mbështetjen e bizneseve dhe heqjen e barrierave.

Hani: Sa më shumë shqiptarë t’i afrohen këtij bordi për mbështetjen e bizneseve tona

“I bëjë thirrje të gjithë shqiptarëve që merren me biznes që të afrohen sa më shumë këtij bordi apo shoqatave të ndryshme për mbështetjen e bizneseve tona”, u shpreh ai.

Takimi mes Odës Ekonomike dhe anëtarëve të FEMSh, ka vazhduar edhe pas konferencës për mediave.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat