Kosova i ka rreth 32 mijë menaxherë

Ekonomi

Kosova i ka rreth 32 mijë menaxherë

Më: 4 janar 2022 Në ora: 10:23
Foto ilustrim

Biznesi i tij numëron 208 punëtorë.

E prej tyre, 11 janë menaxherë.

Secili prej tyre ka sektorin e tij.

Ndërsa, në bazë të sektorit dhe punës dallon edhe paga e tyre.

Bëhet fjalë për kompaninë për prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjetike “Frutex”, nga Suhareka.

Pronari i kësaj kompanie, Shaqir Palushi tregon se si janë të ndarë në sektorë menaxherët në kompaninë e tij.

Sipas tij, sektori i financave dhe administratës kanë tre menaxherë, derisa sektorët e tjerë duke përfshirë atë të marketingut, shitjes, prodhimit, eksportit, ritelës dhe horekës kanë nga një menaxher.

E, nëse bëhet një krahasim me përqindje atëherë i bie që 5% e punëtorëve në këtë kompani janë menaxherë.

Palushi, nuk ka treguar pagat se sa paguhet një menaxher, por ka thënë se kjo bëhet në bazë të përgjegjësisë që kanë.

“Pagat dallojnë në bazë të përgjegjësive që posedon dhe pozitën të cilën ai e udhëheq”, ka thënë shkurt Palushi.

Bizneset private/ Rreth 10% e punëtorëve janë menaxherë

Me pozita menaxheriale nuk qëndron keq as kompania “Meka”, në Dragash.

Kjo kompani ka gjithsej 72 punëtorë, kurse nëntë të tjerë janë me mëditje varësisht sipas nevojës dhe kërkesave në punë.

Prej 72 punëtorëve shtatë janë menaxherë.

Kështu ka bërë të ditur pronari i kompanisë “Meka”, Burim Piraj.

Nëse, krahasohet me përqindje atëherë i bie që në këtë kompani 9.7% e punëtorëve janë menaxherë.

Por, pak më ndryshe janë të ndarë sektorët në këtë kompani.

Aty, ka menaxher gjeneral, menaxher i shitjes dhe marketingut, menaxher komercial, të kontabilitetit, të personelit, të repartit dhe të teknologjisë.

Njëjtë sikurse Palushi edhe Piraj thotë se menaxherët paguhen në bazë të përgjegjësisë që kanë.

“Po, ka dallim në paga në bazë të përgjegjësisë që e kanë dhe ka dallim të konsideruar”, ka thënë Piraj.

Menaxherët/ Mbi 24 mijë meshkuj, rreth 6800 femra

Por, sa është numri i menaxherëve të punësuar në gjithë Kosovën.

Pozita menaxheriale në vend dallon shumë në mes meshkujve dhe femrave.

Nga 31 mijë e 256 menaxherë sa janë gjithsej, prej tyre 24 mijë e 487 janë meshkuj, ndërsa 6769 femra.

Numër më të madh të punësuarve në bazë të profesionit në Kosovë, ka në sektorin e shërbimit dhe shitjes.

Janë gjithsej 89 mijë e 936 persona që janë të punësuar në këtë sektor. Prej tyre meshkuj janë 67 mijë e 958, ndërsa femra 21 mijë e 438.

Pas kësaj, janë profesionet elementare.

Aty janë të punësuar gjithsej 54 mijë e 159 persona. Nga ta 45 mijë e 82 janë meshkuj, kurse nëntë mijë e 77 femra.

Keq me punëtorë nuk qëndron as sektori i zejeve dhe profesioneve të ngjashme.

Në këtë sektor janë të punësuar gjithsej 40 mijë e 96 persona, ku nga ta 34 mijë e 343 janë meshkuj e pesë mijë e 753 femra.

Në bazë të një tabele shihet se në secilin sektor të profesioneve numri më i madh i të punësuarve është meshkuj.

Sipas kësaj tabele të punësuar në Kosovë sipas profesioneve janë 363 mijë e 383 persona.

Prej tyre 264 mijë e 733 janë meshkuj, ndërsa 98 mijë e 650 femra.

Më pak të punësuar ka punëtorë të kualifikuar (aftësuar) në bujqësi, pylltari dhe peshkatari.

Janë vetëm katër mijë e 623 të tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat