“Dështon” Zona Ekonomike Amerikane, Zeka: Jemi të frustruar, qeveritë nuk e patën prioritet

Ekonomi

“Dështon” Zona Ekonomike Amerikane, Zeka: Jemi të frustruar, qeveritë nuk e patën prioritet

Më: 8 janar 2022 Në ora: 10:01
Arian Zeka

Që të ketë Kosova investime më të mëdha amerikane dhe të tjera të huaja, vendi duhet të ketë stabilitet politik, të fuqizojë sundimin e rendit e të ligjit dhe të sigurojë furnizim të rregullt me energji elektrike. Kështu ka vlerësuar drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, i cili kërkon nga Qeveria e Kosovës që në vitin 2022 ta ketë në fokus përmirësimin e klimës së të bërit biznes dhe përmirësimin e ofertës për investitorët e huaj.

Zeka thotë në një intervistë se është fatkeqësi për vendin që kjo qeveri dhe ato të kaluarat kanë dështuar ta bëjnë realitet Zonën Ekonomike Amerikane në Gjakovë.

Madje Zeka thotë se çështja e zonës tashmë është e mbyllur, dhe shprehet i frustruar që kjo zonë asnjëherë nuk u arrit të jetësohet që prej vitit 2018 kur ishte marrë vendim për themelimin e saj.

Zeka: Zona tashmë është çështje e mbyllur

“Unë personalisht, Oda Ekonomike Amerikane jemi të frustruar për faktin që kjo zonë asnjëherë nuk ka arritur të jetësohet. Një ndër intervistat e para unë pata shprehur edhe skepticizmin tim për sa i përket dinamikës për funksionalizimin e kësaj zone. [...] Është fatkeqësi që ne asnjëherë nuk kemi arritur të funksionalizojmë një zonë të tillë, e cila ka pasur një qëllim të jashtëzakonshëm edhe vet për nga natyra, ka qenë një zonë e karakterit unik, jo vetëm në kontinentin e Evropës, por anë e mbanë botës. Meqenëse ka qenë e dedikuar vetëm për investitorët me kapital amerikan. Besoj, që zona tashmë është çështje e mbyllur, as kjo Qeveri (Kurti II), as Qeveria (Hoti) e qershorit të vitit të kaluar (2020), e as qeveria e parë që e kishim në fillim të vitit 2020 (Kurti I), nuk e kanë përfshirë këtë zonë në mesin e prioriteteve të tyre. Madje asnjëherë nuk është diskutuar si çështje. Është njëra ndër 50 rekomandimet që Oda Ekonomike Amerikane ia ka dorëzuar kësaj qeverie, pra të përfshihet edhe funksionalizimi i kësaj zone, por gjasat që e njëjta të bëhet realitet janë të vogla”, thotë Zeka.

Zeka ka thënë se Qeveria duhet të fokusohet si shtet për tërheqjen e investimeve jo vetëm amerikane, por edhe të investimeve të tjera të huaja, derisa ka shtuar se Kosova ka një numër të madh të përparësive konkurruese që mund t’u ofrojë këtyre investitorëve.

Zeka: Për të pasur investime amerikane, duhet stabilitet politik

“Që të kemi investime më të mëdha amerikane dhe të tjera të huaja, Kosova duhet të demonstrojë stabilitet politik, të fuqizojë sundimin e rendit e të ligjit, të sigurojë furnizim me energji elektrike gjë që është bërë edhe problem përgjatë këtyre viteve, sidomos me rikthimin pas më shumë se një dekade me ndërprerje të energjisë elektrike, që ka krijuar vështirësi në operacionet e bizneseve sidomos atyre prodhuese”, theksoi ai.

Zeka ka thënë se Qeveria duhet që këtë vit të përqendrohet edhe në përmirësimin e klimës së të bërit biznes dhe në përmirësimin e ofertës për investitorët e huaj.

Zeka: Qeveria më 2022 të fokusohet në përmirësimin e klimës së të bërit biznes

“Ne duhet të fokusohemi në vitin 2022 e tutje në përmirësimin e klimës të të bërit biznes, përmirësimin e ofertës për investitorët e jashtëm, edhe natyrisht gjetjen e mënyrës për stimulimin e investimeve të brendshme, të cilat edhe do të ndikonin në rritje më të qëndrueshme ekonomike, për rritjen e të hyrave për buxhetin e vendit, por natyrisht edhe krijimin e vendeve afatgjate të punës”, theksoi Zeka.

Sa i përket arritjeve në aspektin ekonomik në vitin 2021, drejtori Zeka ka theksuar se trendi i rritjes së eksporteve është dyfishuar, kjo sipas tij tregon një konsolidim të industrisë vendore.

Zeka: Eksportet janë dyfishuar

“Një e arritur tjetër për vitin 2021, është edhe rritja e eksportit, gati dyfishimi i tij. Kjo tregon që megjithatë, industria vendore është konsoliduar në mënyrë të kënaqshme. Është arrit të zëvendësohet një pjesë e madhe të produkteve të cilat tradicionalisht janë prodhuar kryesisht në kontinentin e Azisë”, thekson ai.

Drejtori Zeka ka folur edhe për investimet e huaja direkte, i cili thekson se ka një tkurrjeje të investimeve dhe nuk ka vend për vetëkënaqësi.

Ai thotë se sektori i patundshmërisë edhe i ndërtimeve mbetet në vend të parë, si sektori që tërheq më së shumti investime të huaja direkte, megjithatë ka pasur një tkurrje për 20 përqind. Zeka thkeson nevojën që Kosova ka për investime në sektorë të tjerë, siç është sektori i prodhimit me potencial eksporti për ndryshimin e bilancit tregtar, i cili vijon të jetë negativ.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat