Eksperti i ekonomisë kritika për shtrenjtimin e rrymës, ja kush përfiton nga subvencionimi

Ekonomi

Eksperti i ekonomisë kritika për shtrenjtimin e rrymës, ja kush përfiton nga subvencionimi

Nga: G.B Më: 21 janar 2022 Në ora: 14:56
Qeveria e Kosovës

Propozimi për rritjen e energjisë elektrike në Kosovë ka ngjallur reagime të shumta.

Madje ka pasur edhe përplasje në mes deputetëve në Kuvend, ku opozita ka kritikuar qeverinë që nuk po bën zgjidhje por po i ngarkon qytetarët me ngritje të çmimit të rrymës.

E Qeveria e Kosovës ka planifikuar 75 milionë euro për subvencionim të energjisë për qytetarët dhe bizneset duke i mbrojtur kështu nga rritja e tarifave.

Lidhur me rritjen e çmimit të rrymës dhe subvencionimin nga ana e Qeverisë, për gazetën “Bota sot” flet eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj.

Ai përmend rritjen e çmimeve në të gjithë sektorët, të cilat thotë se janë të dëmshme për qytetarët dhe bizneset.

Image
Mustafë Kadriaj

“Për fat të keq tani po i korrim rezultatet mbi njëzetvjeçare të keqqeverisjes në Kosovë dhe tani jemi para një akti të kryer dhe kush po i bart pasojat - qytetari. Pra, tani kemi ngritje të çmimit në të gjitha produktet jetike duke filluar nga energjia elektrike, produktet e konsumit e te ngjashme, si për qytetarin dhe biznesin, po ashtu qeveria e tanishme shfajësohet që ia kanë lënë pataten e ngrohtë në duar qeveritë paraprake, që është e vërtetë por qytetari i ka dënuar me votë pikërisht për keqqeverisje dhe i ka dhënë kësaj qeverie mandatin si asnjë qeverie tjetër duke shpresuar për ndryshim në favor të qytetarit”, është shprehur ai.

Ai thotë se populli e shpreh mllefin vetëm në rrjete sociale dhe nuk del të protestojë, derisa çmimet rriten e pagat janë të ulëta.

“E keqja më e madhe që populli vetëm sodit dhe eventualisht në rrjete sociale e shpreh mllefin, por nuk ka gatishmëri për të protestuar për një të drejtë jetike dhe shumë demokratike si në çdo vend në Evropë dhe më gjerë e më e rënda që ky popull mbushi sheshet në kampanja politike e kjo shkon në favor të politikës në vend. Përderisa nuk kemi vetëdijesim të qytetarit nuk mund të përmirësohet politika në vend. Si përfundim kemi ngritje të çmimeve, njëherësh paga të ulëta, gatishmëria për të dalë jashtë vendit është shumë e lartë. Këta faktorë janë premisa që në Kosovë më së paku ka perspektivë të jetohet dhe të zhvillohet jeta”, ka vlerësuar profesori.

Ai komenton subvencionimin e Qeverisë për kategoritë, ku thotë se më shumë përfitojnë ata që shpenzojnë më shumë, e që janë bizneset.

“Një vendim i Qeverisë në përkrahje të dy kategorive domethënëse për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës duhet të vlerësuar pozitivisht, por duhet të jemi të qartë që ky vendim do ta ndihmojë më shumë biznesin për faktin se biznesi potencialisht shpenzon më shumë dhe mund të arrijë këtë kuotë, ndërsa te ekonomitë familjare nuk do të ndikojë për faktin që jo të gjitha familjet shpenzojnë 600 kËh rrymë. Ndërsa, bizneset pjesa dërmuese po për faktin se përveç prodhimit në këtë stinë dimri, ju hyn në punë edhe për ngrohje”, thekson Kadriaj.

Sipas tij, Kryeministri po e shkel premtimin pasi në këtë rast nuk përkrahen qytetarët dhe kategoritë sociale.

“Pra, potencialisht do të përkrahen zakonisht bizneset me kapacitet të madh të prodhimit dhe aktivitet biznesor, këtu vlen të përmendet që premtimi në përkrahje të kategorive sociale dhe në përgjithësi të qytetarit po e shkel vet kryeministri, pra një vendim i tillë është jo i plotë dhe diferencial ku ekonomitë familjare nuk do të përfitojnë”, thotë Mustafë Kadriaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat