​Bie dollari, forcohen euro e funta

Ekonomi

​Bie dollari, forcohen euro e funta

Më: 1 shkurt 2022 Në ora: 11:56
Foto ilustrim

Dollari ka vijuar rënien edhe sot, duke nisur nga e hëna, ndërkohë që monedhat e ndjeshme ndaj rrezikut, si funta britanike dhe dollari australian janë forcuar gjatë tregtimit të mbrëmshëm aziatik.

Pas rënies me gati 5 për qind në janar, aksionet botërore nisën të rriten në muajin shkurt, ndërsa në tregjet valutore ka një ndryshim të kursit.

Indeksi i dollarit, i cili mat vlerën e monedhës amerikane kundrejt një shporte rivalësh kryesorë, ra të hënën nga niveli më i lartë 19-mujor i shënuar javën e kaluar dhe mëngjesin e sotëm vazhdoi të bjerë 0.3 për qind në 96.395 pikë në treg në orën 08:11 sipas kohës së Evropës Qendrore, raporton Reuters.

Prirja rënëse e dollarit u ndikua nga kujdesi i butë i investitorëve për komentet e katër zyrtarëve të Rezervës Federale të SHBA-së se sa do të pasojë rritja e normës së interesit të Fed pas rritjes së parë të pritshme të normës në muajin mars.

Dollari ra gjithashtu kundrejt jenit japonez dhe u tregtua me 114.990 jen.

Funta britanike u rrit me 0.2 për qind në 1.34765 dollarë.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, po përballet sërish me kërkesat për të dhënë dorëheqjen pas një raporti ku thuhet "dështime serioze të lidershipit" për shkak të mbajtjes së festave në zyrat dhe rezidencën e kryeministrit gjatë karantinës.

Rritja e çmimeve të pasurive të paluajtshme në Britani u përshpejtua në janar, me ritmin më të fortë në fillim të një viti që nga viti 2005, njoftoi kredidhënësi hipotekor Nationwide.

Euro është rritur me më shumë se 0.2 për qind sot, duke lëvizur rreth 1.2585 dollarë.

Investitorët po vënë bast gjithashtu se Banka Qendrore Evropiane do të fillojë të rrisë normat e interesit këtë vit, pavarësisht angazhimit të saj ndaj politikës monetare ultra të lirshme.

Të dhënat e inflacionit në Eurozonë do të publikohen të mërkurën.

Rubla ruse është rikuperuar në nivelin më të fortë që nga 24 janari kundrejt dollarit, pasi ra javën e kaluar në nivelin më të ulët në 15 muaj, shkaktuar nga tensionet mes Moskës dhe Perëndimit për Ukrainën.

Në tregjet e kriptovalutave, bitcoin u rrit me 0.2 për qind në rreth 38.576 dollarë, por është ende shumë nën nivelin më të lartë të nëntorit prej 69.000 dollarësh.

Në Indi, Ministria e Financave njoftoi se banka qendrore do të prezantojë monedhën digjitale në vitin e ardhshëm financiar, duke përdorur teknologjinë blockchain.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat