Ejupi për tarifat e reja të energjisë: Ja cila shtresë preket më së shumti

Ekonomi

Ejupi për tarifat e reja të energjisë: Ja cila shtresë preket më së shumti

Më: 10 shkurt 2022 Në ora: 12:03
Burim Ejupi

Ani se drejtues të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) thonë se nuk ka ngritje të energjisë elektrike për konsumatorët që shpenzojnë më pak se 800 kilovatë dhe për bizneset, drejtori në Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP), Burim Ejupi, thotë se shtrenjtim të rrymës ka edhe për këto kategori, por që këto tarifa sipas tij, mbulohet me anë të subvencioneve të qeverisë prej 90 milionë eurove. Në një intervistë për KosovaPress tregon se cila është edhe kategoria që preket më së shumti nga ky shtrenjtim i rrymës.

Për formën e shtrenjtimit të rrymës, Ejupi ka fajësuar ZRRE-në se është ndikuar nga qeveria dhe partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Ejupi: Qeveria subvencionon rrymën për bizneset dhe për ata që harxhojnë deri 800 kilovatë

“Nuk ka një vendim të përgjithshëm sa është shtrenjtuar rryma, ndërsa ajo që theksoi kryesuesi i bordit të ZRRE-së, rryma deri në 800 kilovatë orë për ekonomitë familjare nuk do të shtrenjtohet, po kështu edhe për biznese nuk do të shtrenjtohet për arsye se 90 milionë euro është zotuar qeveria se do t’i subvencionojë. Kështu qeveria me këtë vendim i subvencionoi bizneset dhe konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë. Pra, subvencionimi i qeverisë ka të bëjë se nuk iu ka rritur çmimi i energjisë bizneseve dhe konsumatorëve që nuk harxhojnë më shumë se 800 kWh, ka mbetur aty ku është, por qytetarët nuk i kanë 90 milionë euro të ndara nga qeveria. [...] Kështu që ajo që është vendosur është se çmimi i energjisë ka ngritje, sa ka ngritje nuk e di, sepse nuk është publik. Propozimi që ka dhënë ZRRE-ja para dy javësh, kanë sugjeruar ngritje 9 për qind për biznes dhe për konsumatorët deri 600 (kilovatë), këtë pjesë e ka subvencionuar qeveria dhe jemi duke besuar që ashtu ka me qenë. Sepse zhvendosja e pragut prej 600 në 800 kilovatë, nëse e kalkulojmë është ai 15 milionëshi shtesë nga 75 në 90 milionë që e shtoi qeveria”, u shpreh Ejupi.

Ejupi tregon se cilën shtresë të qytetarëve e prek rritja e tarifave të energjisë elektrike rreth 100 përqind për ekonomitë familjare që shpenzojnë mbi 800 kilovatë. Ai shton se për këtë kategori do të jetë e papërballueshme shtrenjtimi i rrymës.

Ejupi: Shtrenjtimi është i papërballueshëm për një pjesë të qytetarëve

“Cilën shtresë është duke prekur ky shtrenjtim? Prekë shtresën të cilën jeton në banesa kolektive, të cilat janë qytetarë që punojnë me rroga, jo ndërmarrës, njerëz që e kanë një të hyrë minimale ose mesatare në Kosovë. D.m.th. një çift që punon me një rrogë mesatare që kanë të hyra 800 deri 1000 euro. E tash nëse i ka këto të hyra prej 800 deri 1000 euro dhe paguan gjashtë muaj për ngrohje 200 euro, i bie që më shumë se 20 përqind të të hyrave të shkojë në faturën e energjisë, besoj që kjo do ta rëndojë shumë ekonominë familjare për arsye se ata duhet me lënë keq diçka”, u shpreh ai.

Ajo që e brengos edhe më shumë Ejupin, është se propozimet e Lëvizjes Vetëvendosje u bën vendime të ZRRE-së.

Ejupi: ZRRE u tregua joprofesionale, mori për bazë propozimin e qeverisë dhe të VV-së

“Neve çka na ka brengosë është se komentet e qeverisë që gjatë vikendit mblidhet online dhe i shton ekstra 15 milionë euro, edhe propozimet e partisë Vetëvendosje janë komplet vendime të ZRRE-së. Ne kemi pritë ZRRE-në të jetë më profesionale, që vendimet t’i marrë në aspektin profesional. Ne nuk jemi kundër shtrenjtimit të rrymës, sepse ne vet kemi kërkuar të shtrenjtohet rryma, por mos të ndikohen politikisht, jo çka i intereson qeverisë”, u shpreh ai.

Përveç kësaj, Ejupi thotë se ZRRE urgjentisht duhet të sqarojë se si do të faturohet energjia e shpenzuar nga data 22-27 janar 2022 deri 8 shkurt 2022. Sipas tij, konsumatorët mund të dëmtohen rëndë financiarisht nëse ZRRE nuk reagon shpejt.

Ejupi: ZRRE të sqarojë se si do të faturohet energjia deri më 8 shkurt

“Problemi tjetër është se dje nuk kanë ardhur faturat e KESCO-s. Dje ishte dashur të vijnë faturat për neve që kemi konsumuar 16 ditë me tarifa të lira. Këto 16 ditë unë kam konsumuar me çmim të lirë, tash çka ndodhë kur mua nuk më ka ardhur fatura dje. Pra, dje është dashur të na vijë fatura e energjisë elektrike me çmimin si ka qenë, ndoshta jo biznesit. Kjo është një çështje që prapë duhet me qenë mbrojtja e konsumatorit. Mundësi manipulimi? Para katër viteve ka qenë manipulimi”, thotë ai.

Bllok tarifat e reja janë në fuqi prej dje dhe do të aplikohen deri më 31 mars 2023. INDEP mbetet e shqetësuar për mundësinë e shkeljes së të drejtave të konsumatorëve përmes faturimit të pasaktë, jotransparent dhe të padrejtë për energjinë e shpenzuar deri me datë 9 shkurt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat