​Mallrat në bujqësi me rritje të çmimit për 25 %

Ekonomi

​Mallrat në bujqësi me rritje të çmimit për 25 %

Më: 11 shkurt 2022 Në ora: 16:01
Foto ilustrim

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar indeksin e çmimeve të inputeve në bujqësi për tremujorin e katërt të vitit 2021, ku theksohet se mallrat dhe shërbimet aktualisht të konsumuara në bujqësi kishin rritje për 25.3%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020.

ASK thotë se ka bërë ndërrimin e vitit bazë të indeksit nga 2010=100 në 2015=100 sipas metodologjisë së Eurostat-it.

Sipas ASK-së, ky publikim është i bazuar në çmimet e inputeve bujqësore të grumbulluara në Kosovë.

“Grumbullimi i çmimeve është kryer në barnatoret bujqësore, farmacitë veterinare, në kompani, tregje dhe vende të tjera, ku çmimet e inputeve bujqësore janë në dispozicion. Disa çmime të inputeve bujqësore janë marrë nga çmimet e konsumit (IHÇK) në ASK. Prodhimet që krijojnë bazë për Indeksin e Çmimeve të inputeve janë të ndara në dy grupe kryesore: Mallrat dhe shërbimet aktualisht të konsumuara në bujqësi (Input 1) dhe Mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet në bujqësi (Input 2). Brenda grupit Input 1, çmimet grumbullohen sipas grupeve në vijim: farëra dhe material mbëltues, energji, vajra, plehra dhe përmirësues të tokës, produkte për mbrojtjen e bimëve dhe pesticide, shpenzime për veterinari, lëndë për ushqimin e kafshëve, mirëmbajtje e materialeve, mirëmbajtje e ndërtesave, si dhe mallra dhe shërbime të tjera. Kurse, sa i përket Input 2, çmimet grumbullohen për materiale (makineri dhe pajisje të tjera), ndërtesa të tjera (ndërtesat jo-rezidente të fermës, punë të tjera, përveç përmirësimit të tokës). Në tremujorin e katërt (TM4) të vitit 2021, indeksi i Input 1 ka rritje për 25.3%, krahasuar me periudhën e njëjtë (TM4) të vitit 2020. Kurse, indeksi i Input 2 ka rritje për 1.5%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020”, thuhet në një komunikatë të ASK-së.

Ndërkaq, Indeksi i përgjithshëm i inputeve (Input 1+Input 2) ka rritje për 13.6%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat