Pagën minimale s’e luan as rritja e çmimeve

Ekonomi

Pagën minimale s’e luan as rritja e çmimeve

Më: 15 shkurt 2022 Në ora: 18:21
Një kilogram domate në Tregun e Gjelbër të Prishtinës po shitet për 1.50 euro. Para një viti, ky produkt kushtonte rreth 1 euro.

Ndonëse ka premtuar, Qeveria e Kosovës nuk ka ndërmarrë asnjë hap drejt rritjes së pagës minimale.

Vlera e pagës minimale në Kosovë është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë evropiane të Statistikave, Eurostat.

Ajo është e ndarë në dy kategori: 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit mbi 35 vjeç.

Kryeministri Albin Kurti ka më shumë se katër muaj që ka premtuar rritjen e pagës minimale në 250 euro, por në praktikë nuk ka asnjë lëvizje.

E pyetur nga Radio Evropa e Lirë se kur pritet të merret vendimi për këtë çështje, Qeveria e Kosovës nuk është përgjigjur.

Në kohën kur Kosova, sikurse edhe shumë vende të tjera, po përballet me rritje të çmimeve të konsumit, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) propozon që paga minimale të rritet në jo më pak se 300 euro.

“Kemi ngritje të çmimeve, sidomos në ushqime esenciale, si: vaji, mielli...”, thotë Atdhe Hykolli, kryetar i BSPK-së.

BSPK-ja është pjesë e Këshillit Ekonomiko-Social të Kosovës, i cili funksionon si organ i pavarur dhe përbëhet prej anëtarëve që përfaqësojnë interesat e të punësuarve, të punëdhënësve dhe të Qeverisë.

Paga minimale, e pandryshuar për më shumë se një dekadë

Me Ligjin e Punës në Kosovë, ky këshill propozon vlerën e pagës minimale në fund të çdo viti kalendarik, e cila më pas kalon për miratim te Qeveria.

Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar qysh në vitin 2011.

Këshilli Ekonomiko-Social ka propozuar në vitin 2018 që paga minimale të jetë 250 euro, por propozimi nuk ka shkuar tutje.

Në bazë të Nenit 86 të Ligjit të Punës, faktori kryesor që duhet të merret parasysh gjatë përcaktimit të pagës minimale, është kostoja minimale e shpenzimeve jetësore.

Të dhënat zyrtare tregojnë se kjo kosto është në rritje, së paku qysh vitin e kaluar.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma vjetore e inflacionit në muajin nëntor të vitit 2021 ka arritur në 6.9 për qind, nga 0.1 për qind sa ka qenë në periudhën e njëjtë të vitit 2020.

Çmimet kanë vazhduar të shënojnë rritje edhe gjatë këtij muaji.

Një kilogram speca aktualisht kushton mbi 3 euro. Në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, çmimi i specave ka qenë 2.14 euro. Çmimi i domateve për kilogram ka arritur në 1.5 euro, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka qenë jo më shumë se 1 euro.

“Duhet të jesh ekonomist i fortë për t’ia dalë nga muaji në muaj”, thotë Bajram Sinani, në të 60-tat e tij.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë në Prishtinë, ai thotë se familja e tij është 5-anëtarëshe dhe se duhet pasur shumë kujdes në shpenzimet që bën - edhe pse, siç thotë, të hyrat mujore të të gjithë familjes “janë të mira”.

Rritje çmimi ka pësuar edhe buka në Kosovë, ashtu si edhe mishi, qumështi, djathi, vaji, vezët dhe produkte të tjera.

Për një kategori të qytetarëve është rritur edhe çmimi i energjisë elektrike.

Kaçaniku: Çmimet i kanë falimentuar disa familje

Selatin Kaçaniku, drejtor i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, e cila merret me mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve në Kosovë, thotë se shporta mujore për një familje rreth 5-anëtarëshe mund të arrijë vlerën e 400 eurove.

Sipas tij, paga minimale në Kosovë mund të shërbejë vetëm për disa produkte, si mielli e vaji, si dhe për pagesën e disa shërbimeve komunale - ujit apo pastrimit.

“Këto çmime i kanë falimentuar disa familje në Kosovë. Në momentin kur nuk mund t’i përmbushim nevojat elementare për jetë, jemi të falimentuar”, thotë Kaçaniku për Radion Evropa e Lirë.

Të dhënat e fundit të Bankës Botërore për varfërinë në Kosovë janë të vitit 2017 dhe, sipas tyre, mbi 23 për qind e qytetarëve të Kosovës jetojnë në varfëri.

Kosova nuk ka të dhëna të sakta se sa është numri i të punësuarve që marrin pagë minimale, por besohet se ajo u takon më së shumti të punësuarve në sektorin privat. Sektori privat në Kosovë llogaritet si punëdhënësi më i madh: me mbi 220 mijë punëtorë.

Sipas Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, në pagën minimale përfshihen punëtorët në sektorin e pastrimit, shërbyesit shtëpiakë, punëtorët e sigurimeve private e të tjerë.

Paga mesatare bruto në Kosovë është rreth 460 euro. Në sektorin publik, paga mesatare bruto është rreth 620 euro, ndërsa në sektorin privat rreth 380 euro./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat