​Komisioni për Buxhet miratoi dy marrëveshje me Shqipërinë

Ekonomi

​Komisioni për Buxhet miratoi dy marrëveshje me Shqipërinë

Më: 16 shkurt 2022 Në ora: 11:20
Komisioni për Buxhet

(E plotësuar 13:34) - Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar dy Projektligje që thellojnë bashkëpunimin me Shqipërinë. Ligjvënësit i dhanë dritën e gjelbër ratifikimit të marrëveshjes për sigurimet shoqërore me Shqipërinë dhe marrëveshjes për zbatimin e lehtësirave doganore dhe kontrollit të hyrjes/daljes së mallrave. Megjithatë u ngritën paqartësi lidhur me specifikat teknike të marrëveshjes për sigurimet shoqërore.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, duke arsyetuar marrëveshjen për sigurimet shoqërore me Shqipërinë, tha se e njëjta ka për qëllim mbrojtjen shoqërore për qytetarët shqiptarë që jetojnë në dy vendet, duke i mundësuar realizimin e të drejtave të tyre, si pensioni i moshës, pension familjar, invalidor dhe të punës.

Murati: Projektligji ka për qëllim mbrojtjen shoqërore për qytetarët shqiptarë që jetojnë në të dy vendet

“Ky projektligj ka për qëllim mbrojtjen shoqërore për qytetarët shqiptarë që jetojnë në dy vendet duke iu mundësuar atyre të realizojnë të drejtat e tyre, siç janë pensionet e moshës, pensionet familjare, invalidore të punës si dhe e drejta në pensione nga fondi i kursimeve pensionale individuale shtylla e dytë. Me këtë projektligj qytetarëve që kanë punuar në kohë të gjatë në Republikën e Shqipërisë do t’iu mundësohet se pas arritjes së moshës së pensionit të kenë të drejtë që këtë pension të marrin në Kosovë. Qytetarëve kosovarë do t’iu mundësohet e drejta për t’i bashkuar periudhat e kontributeve në mënyrë që të realizojnë pensionin në rastin kur nuk është e mundur të plotësojnë kushtet ligjore qoftë në Kosovë, apo Shqipëri”, tha ai.

Ani pse i dhanë mbështetje në parim, deputetët opozitarë adresuan disa paqartësi për marrëveshjen për sigurime shoqërore me Shqipërinë.

Madje deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti e konsideroi të papërgatitur për këtë temë ministrin Murati.

Hoti: Jemi njerëz edhe ministri mund të vjen i papërgatitur

“Marrëveshja është e rëndësishme dhe e rëndësisë së veçantë, është fakt. Ndihmon në unifikimin e tregjeve të punës dhe rregullon në skemat e ndryshme të sigurimeve shoqërore dhe ne e mbështetim pa diskutim. Por jemi njerëz dhe po mundohem me kuptu ministrin dhe me i hap rrugën. Edhe ministri mund të vjen ndonjëherë i papërgatitur, nuk ka asgjë si me thënë të keqe në atë drejtim. Por e rëndësishme është që jemi të hapur dhe të sinqertë me njëri-tjetrin. Është e kuptueshme që ministri të thotë se nuk jam në gjendje të jap sqarime për nenet e caktuara”, tha ai.

Lidhur me pretendimet e deputetit Hoti, ministri Murati tha se çështjet teknike mund të adresohen me shkrim para seancës plenare.

Murati: Çështjet teknike edhe mund të adresohen

“Sa i përket shumicës së çështjeve teknike ndoshta edhe mund të adresohen me shkrim ose do t’i marr prej këtu. Besoj se do të ishte më e nevojshme t’i kemi nenet specifikisht dhe sqarimet e nevojshme që po kërkohet më saktësisht për nenet që i përmendët”, theksoi ai.

Pavarësisht kësaj, kritikat karshi ministrit Murati adresoi edhe deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.

Lushtaku: Është shqetësuese si vjen ministri në Komision i papërgatitur

“Shqetësimet që i ngriti zotëri Hoti janë shqetësime edhe të miat. Po vjen si ministër i Financave që me prezantu këtë Qeveri dhe nuk jeni i përgatitur nuk e keni as marrëveshjen që do të ratifikohet në Kuvend, ekipin se ki këtu. Kjo është shqetësuese si vjen në Komision me u përballë me pyetjet dhe nuk jeni i përgatitur”, tha ai.

Në këtë temë u përfshi edhe kryetari i komisionit, Armend Muja, i cili tha se parimet e marrëveshjes janë të shëndetshme dhe fuqizojnë integrimin ndër shqiptar.

Muja: Agjenda e përgjithshme është që të fuqizohet integrimi ndër shqiptar

“Parimet e marrëveshjes janë shumë të shëndetshme, kuptimin se i mundëson një qytetari të Kosovës që ka punuar 5 vjet këtu me i bartë pensionet pastaj që mos me qenë pengesë për lëvizje në tregun e punës. Agjenda e përgjithshme është që të fuqizohet integrimi ndër shqiptar”, theksoi Muja.

Ndërkohë në arsyetimin e marrëveshjes me Shqipërinë për zbatimin e lehtësirave doganore dhe të kontrollit të hyrjes/daljes së mallrave, ministri Murati mes tjerash tha se zhdoganimi i mallrave që kanë destinacion Kosovën do të bëhet në zyrën e doganës së vendit në Durrës.

Murati: Në zyrën e doganës së Kosovës në Durrës do të bëhet zhdoganimi për mallra

“Kjo marrëveshje e lehtëson edhe transportin e mallrave dhe zhdoganimi mund të bëhet edhe në Portin e Durrësit në zyrën e doganës së Kosovës meqenëse atje do të hapet dhe do të mundësohet procedura e zhdoganimit të mallrave. Njëkohësisht kjo ka edhe protokolle të tjera që lehtësojnë tregtinë duke përfshirë edhe njohjen e bllombave”, shtoi Murati.

Krahas këtyre, komisioni diskutoi edhe rreth hartimit të Planit të Punës së Komisionit për vitin 2022, për çka u vendos të ketë vendimmarrje në mbledhjen e radhës.

***

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për sigurime shoqërore me Shqipërinë dhe Projektligjin për zbatimin e lehtësirave doganore dhe të kontrollit të mallrave me Shqipërinë.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se dy marrëveshjet thellojnë bashkëpunimin me Shqipërinë.

Megjithëse i dhanë mbështetje në parim, deputetët opozitarë ngritën paqartësi për teknike për marrëveshjen për sigurime shoqërore me Shqipërinë.

Madje deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti e konsideroi të papërgatitur për këtë temë ministrin Murati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat