​ASK: Çmimet e prodhimeve bimore janë ngritur për 27.5%

Ekonomi

​ASK: Çmimet e prodhimeve bimore janë ngritur për 27.5%

Më: 18 shkurt 2022 Në ora: 15:22
Foto ilustrim

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar indeksin e çmimeve të prodhimeve dhe çmimet në bujqësi 2015- 2021, ku thuhet se krahasuar me vitin 2015, indeksi vjetor i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 27.5%. në vitin 2021. Kurse, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 8.4% në vitin 2021, krahasuar me vitin 2015.

ASK thekson se për të bërë krahasime dhe për t’i vërejtur ndryshimet janë prezantuar të dhëna për vitet 2015-2021 dhe për vitin bazë 2015.

Sipas ASK-së, ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë.

“Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe vende të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen. Prodhimet që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në kg, litër dhe copë.

Në vitin 2021, indeksi vjetor i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 13.3%, krahasuar me vitin 2020. Kurse, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 0.2% në vitin 2021, krahasuar me vitin 2020. Ndërkaq, indeksi i përgjithshëm i çmimeve të prodhimeve bujqësore ka rritje për 5.9% në vitin 2021, krahasuar me vitin 2020. Krahasuar me vitin 2015, indeksi vjetor i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 27.5%. në vitin 2021. Indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 8.4% në vitin 2021, krahasuar me vitin 2015”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, indeksi i përgjithshëm vjetor i prodhimeve bujqësore ka rritje për 16.5% në vitin 2021, krahasuar me vitin 2015. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat