Hykolli: Nuk pranojmë pagë minimale nën 350 euro

Ekonomi

Hykolli: Nuk pranojmë pagë minimale nën 350 euro

Më: 22 shkurt 2022 Në ora: 18:48
Atdhe Hykolli

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar dje se ka filluar ndërmarrja e hapave të nevojshëm drejt rritjes së pagës minimale dhe se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve veçse ka përgatitur projektligjin i cili shpejt do të dalë në konsultime publike. Lidhur me këtë janë deklaruar për KosovaPress nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, thotë se paga minimale duhet të jetë 350 euro e lart, sidomos tani kur çmimet janë rritur shumë.

Derisa thotë se paga minimale aktuale është diskriminuese, Hykolli bënë të ditur se kanë themeluar komisione për hulumtim dhe diskutim për pagën minimale.

Hykolli: Paga minimale duhet të jetë 350 e lart

“Çmimet kanë lëvizur shumë, edhe ato esenciale për jetën e njeriut kështu që ne jemi duke pritur komisionet sepse ata janë duke bërë një hulumtim për pagën minimale, mirëpo si BSPK mendojmë që pagat minimale duhet të fillojë negocimi për 350 euro e më lart... Paga minimale nuk është diskutuar e as diskutuar që nga viti 2011, kemi edhe një pagë minimale që është diskriminuese, është 170 euro për moshën mbi 30 vjeçare, dhe e kemi 130 euro nën moshën 30 vjeçare. Neve na duket se është një negocim i lartë, por po të ishte negociuar paga minimale nga viti 2011, atëherë ne do ta kishim një pagë minimale ndoshta edhe më shumë se shifrën që po e them tash”, tha Hykolli.

Hykolli tregon se janë në proces të diskutimit për përcaktimin e nivelit të pagës minimale.

Hykolli: Komisionet janë duke kryer punën e tyre

“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës është pjesë e këshillit ekonomiko-social. Ne edhe e udhëheqim këtë këshill dhe e negociojmë pagën minimale. Marrin pjesë partnerë social, Qeveria, bizneset dhe ne si konfederatë. Ne kemi filluar diskutimin e pagës minimale, ne kemi krijuar komisione që janë të thirrura për diskutimin e pagës minimale, dhe ata janë duke përfunduar punën e tyre”, u shpreh Hykolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat