​Hajdari për ngritjen e çmimeve: Po marrim masat e duhura sipas legjislacionit në fuqi

Ekonomi

​Hajdari për ngritjen e çmimeve: Po marrim masat e duhura sipas legjislacionit në fuqi

Më: 10 mars 2022 Në ora: 22:41
Rozeta Hajdari

Edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari ka reaguar pas ngritjes së çmimeve të disa artikujve bazikë ditëve të fundit në Kosovë. Ajo ka thënë se organet kompetente po marrin masat e duhura sipas legjislacionit në fuqi, derisa u ka kujtuar bizneseve nenin që parasheh burgim deri në pesë vjet.

Hajdari përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se me shqetësim ka pranuar njoftimet dhe ankesat për ngritje të menjëhershme të çmimeve të produkteve ushqimore esenciale.

“Ju siguroj se Qeveria Kurti, duke u bazuar në parimet e përgjegjësisë, llogaridhënies, transparencës, barazisë dhe gjithëpërfshirjes, prioritet ka mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ministria që unë drejtoj në koordinim me organet kompetente, po marrin masat e duhura sipas legjislacionit të Republikës së Kosovës, ku ndër ligjet përkatëse është edhe kodi penal i postuar më poshtë”, ka shkruar Hajdari në Facebook duke u kujtuar bizneseve dënimin nenin që parasheh burgim deri në pesë vjet.

Ajo ka ftuar të gjitha bizneset të veprojnë në mënyrë të ligjshme dhe të ndërgjegjshme, duke u bazuar në konkurrencë të shëndoshë dhe në dobi të qytetarëve, bizneseve dhe shtetit.

“Me përgjegjësi të plotë ju them se gjendja është nën kontroll dhe se nuk ka vend për panik”, ka thënë ajo. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat