Moslejimi i tërheqjes së parave nga Trusti / Ekspertët e ekonomisë thirrje kryeministrit Kurti

Ekonomi

Moslejimi i tërheqjes së parave nga Trusti / Ekspertët e ekonomisë thirrje kryeministrit Kurti

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 22 prill 2022 Në ora: 11:40
Foto ilustrim

Ka kohë që partitë opozitare po kërkojnë që të mundësohet edhe një tërheqje e parave nga Trusti.

Por, kjo po kundërshtohet nga Qeveria.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se është deklaruar kundër tërheqjes së mjeteve të kursimeve nga Trusti, pasi tha se kjo nuk është zgjidhje e krizës.

Ne kemi thënë edhe shumë më herët edhe kur ishim në opozitë në vitin 2020, edhe në vitin 2021 kur ishim në qeveri, edhe tani se me pakon e Ringjalljes ekonomike ne e zbusim krizën, e cila për shkak se ka edhe faktor më të mëdhenj se sa në vendin tonë, nuk është e eliminueshme menjëherë. Mirëpo, nuk konsiderojmë që duke marrë nga pleqëria individuale e punëtorëve të tanishëm do të mund ta zgjidhim problemin. E kemi parë që dy ekspertë të njohur të Fondit Monetar Ndërkombëtar e kanë dhënë vlerësimin e tyre se si një zgjidhje e tillë nuk është zgjidhje”, u shpreh Kurti.

Në anën tjetër, qeveria së fundi ka ndarë nga 100 euro për zyrtarët publikë, ata privatë, pensionistët dhe studentët.

Kjo pako është kundërshtuar nga opozita e ekspertë të ekonomisë.

E derisa paratë e Trustit nuk e zgjidhin problemin e krizës siç deklaron Kryeministri, a e zgjidhin atë 100 eurot e ndara nga Qeveria?

Limani: Moslejimi i tërheqjes së parave të Trustit nuk është në dobi të qytetarëve

Lidhur me këtë, profesori i ekonomisë Musa Limani, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë se vendimet e Qeverisë duhet të jenë në dobi të qytetarëve e sipas tij, moslejimi i tërheqjes së parave të Trustit nuk është në dobi të tyre.

Image
Musa Limani

Qeveria, në kuadër të kompetencave të saja merr vendime të pavarura, por ato përherë duhet të jenë në dobi të qytetarëve. Vendimi për moslejimin e tërheqjes të mjeteve të Trustit nga kursimtarët, mendoj se nuk është në dobi apo interes të kursimtarëve të Trustit. Siç dihet, mjetet e Trustit janë individuale-personale të të punësuarve dhe mendoj se as në pikëpamje juridike e më pak ekonomike dhe sociale, vendimi për mostërheqje nuk justifikohet dhe si i tillë nuk pranohet, sepse këto mjete janë pronë personale dhe askush nuk ka të drejtë të mohojë shfrytëzimin e tyre”, është shprehur ai.

Limani ka theksuar se nëse nuk lejohet tërheqja e këtyre parave, Qeveria duhet t’i ndihmojë qytetarët me pako.

Në kontekst të kësaj duhet potencuar se, në qoftë se Qeveria nuk lejon tërheqjen e këtyre mjeteve, duhet bërë zgjidhje duke i mbështetur këta kursimtarë dhe qytetarët e tjerë duke marrë masa në një pako të ndihmave, që do të mundësojë kalimin e kësaj krize ekonomike me të cilën aktualisht po përballën pjesa dërmuese e qytetarëve të Kosovës”, thotë profesori.

Sipas tij, tërheqja e parave të Trustit do të kishte ndikim pozitiv në ekonominë e vendit dhe se me vendimin kundër, Qeveria përveç që dëmton kursimtarët e Trustit, kjo shprehet edhe në mos zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Nuk duhet penguar tërheqjen e këtyre mjeteve, aq më parë, kur dihet se ato do të rritnin fuqinë blerëse të një numri të konsiderueshëm të të punësuarve, me anë të të cilave do të rritej konsumi dhe të hyrat buxhetore të Kosovës nëpërmjet TVSH-së, si dhe do të rritej edhe kërkesa dhe oferta agregate. Andaj, një vendim i Qeverisë për mos tërheqje të këtyre mjeteve, jo vetëm që dëmton kursimtarët e Trustit, por shprehet edhe në mos zhvillimin ekonomik të Kosovës”, vlerëson Limani.

Ai shton se këto mjete nuk do ta zgjidhnin krizën, por që do ta zbutnin atë, si një zgjidhje momentale, ndërsa zgjidhja afatgjate thotë se është mbështetja me pako, e masa të tjera.

Këto mjete, assesi nuk do ta zgjidhin problemin social, por do të ndikojnë në zbutjen e situatës aktuale sociale me të cilën po ballafaqohet qytetari i Kosovës. Kjo do të paraqite një zgjidhje momentale dhe afatshkurtër, por nuk do ta zgjidhte problemin afatgjatë të krizës ekonomike dhe zgjidhjen biofizike të qytetarëve. Zgjidhja afatgjate mbështetet në marrjen e masave në pako, duke bërë lehtësira në politikën fiskale e të cilat do t’i favorizojnë artikujt kryesor ushqimor, masa të tjera si dhe zhvillimin ekonomik”, deklaroi profesori Musa Limani për gazetën “Bota sot”.

Kadriaj: Skandaloze deklaratat kundër lejimit të tërheqjes së parave të Trustit

Ndërsa, eksperti i ekonomisë dhe profesori Mustafë Kadriaj, potencon se tërheqja e parave të Trustit do të ishte e pakuptimtë po të ishte gjendja normale ekonomike.

Image
Mustafë Kadriaj

Në parim tërheqja e mjeteve të Trustit në një gjendje normale është e pakuptimtë dhe natyra e destinimit të mjeteve të deponuara dihet, për faktin se në pleqëri secili që ka kontribuar gjatë punës së vet, ato duhet t’i shfrytëzojë dhe t’i gëzojë, ai në veten e parë apo familjari i tij më i afërt”, thotë ai për “Bota sot”.

Sipas Kadriajt, janë për tu habitur deklaratat kundër kësaj tërheqjeje, derisa kemi rritje të çmimeve, ulje të mirëqenies e papunësi të lartë, ndërsa qeveria bën sehir.

Por, më habisin deklaratat e Qeverisë, deputetëve, disa ekonomistëve, ku ata po sillen sikurse Kosova të jetë në gjendje normale dhe të jetë mirëqenia dhe gjendja ekonomike në atë kuptimin e drejtë, në nivel jashtëzakonisht të mirë të zhvillimit ekonomik, por deri më tani, gjithë qytetarët, i gjithë opinioni është duke u shqetësuar për faktin se kemi rritje të çmimeve, ulje të mirëqenies, papunësi e lartë dhe në këtë drejtim Qeveria thjesht bën sehir, por më së paku bën në drejtim të ngritjes së mirëqenies së qytetarëve dhe në këtë drejtim thotë se ka nevojë sepse sipas logjikës së tyre, nuk i bën zgjidhje në afatgjatë qytetarit”, vlerëson eksperti i ekonomisë.

Më tej, ai pyet se si zgjidhet kriza me nga 100 euro nga Qeveria, e nuk zgjidhet nga tërheqja e parave të Trustit.

Pra, nëse nuk i bën zgjidhje afatgjate qytetarit tërheqja e Trustit, sa i bën zgjidhja ndarja e nga 100 eurove, përkrahje që thjesht nuk duhet injoruar, por me ato para qytetari nuk mund ta kalojë as 1 javë në shportën e konsumit nëse dëshiron të furnizohet në një nga qendrat tregtare”, thekson Kadriaj.

Ai madje i quan skandaloze deklaratat e tilla të Qeverisë, deputetëve të pozitës e disa ekonomistëve, por thotë se në këtë rast pëson qytetari, i cili i gëlltit të gjitha çdo ditë, e gjendja vazhdon të jetë jashtëzakonisht e keqe.

Në këtë drejtim, edhe ata ekonomistë, edhe kjo qeveri që sillet kështu, vlerësoj se duhet të jenë më të drejtpërdrejtë që të deklarohen thjesht që në Kosovë kemi zhvillim ekonomik, që kemi rritje të mirëqenies, dhe në Kosovë kemi një nivel të zhvillimit ekonomik në krahasim me vendet e rajonit apo edhe të krahasohet me të botës, që do të ishte një injorim total për gjendjen ekonomike të qytetarit, por përderisa qytetarët e gëlltisin çdo ditë këtë gjendje ekonomike, pra si duhet qeveria dhe deputetët e pozitës dhe disa ekonomistë nuk kanë të ndaluar me këto deklarata skandaloze, derisa qytetari e përpin këtë çdo ditë, pse mos të sillen në këtë drejtim, por në kuptimin e drejtë nuk kanë bazë ekonomike për faktin se gjendja nuk është e mirë, por për fat jo të mirë, është jashtëzakonisht keq”, deklaroi Mustafë Kadriaj për gazetën “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat