​"Bizneset goditen për të tretën herë me rritje e çmimit të çimentos"

Ekonomi

​"Bizneset goditen për të tretën herë me rritje e çmimit të çimentos"

Më: 6 gusht 2022 Në ora: 12:23
Foto ilustrim

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkon që të ndërmerren masa të menjëhershme nga ana e institucioneve të vendit, përkatësisht nga ana e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë, ku si rezultat i pakënaqësisë bizneset paralajmërojnë edhe protesta gjatë ditës së hënë si dhe ndërmarrjen e hapave të tjerë në vazhdim në rast të mos reflektimit nga kompania.

Ngritja e serishme të çmimit të çimentos për +17.81€/T (duke përfshirë TVSH-në) që do të hyjë në fuqi nga data 08.08.2022, është ngritja e tretë e çmimit të çimentos në vitin 2022, arsye kjo e cila mblodhi në takim urgjent përfaqësuesit e sektorit të prodhuesve të betonit në kuadër të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

“Ngritja e shpeshtë e çmimit, pa paralajmërim paraprak dhe në afat shumë të shkurtër, e mungesa e arsyetimit përmbajtjesor për këto ngritje, po shkakton shumë sfida në operimin e bizneseve të sektorit të prodhuesve të betonit dhe përmbushjen e kontratave që këta të fundit kanë me klientët e bashkëpunëtorët. Si arsyetim për këto ngritje, nga ana e Sharr-Cem konsiderohet të jetë rritja e çmimit të energjisë, e cila nga ana e prodhuesve të betonit gjithashtu konsiderohet si argument i pamjaftueshëm dhe i papranueshëm”, thuhet në komunikatën e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

Kjo ishte arsyeja që bizneset të organizojnë urgjent një takim të përbashkët, ku në kuadër të këtij takimi, u theksua që ky sektor po dëmtohet shumë rëndë, e dëmtimi vjen si rezultat i kontratave të mëhershme e afatgjata, që bëjnë bizneset, e në të cilat ndër të tjera bizneset paracaktojnë edhe çmimet e furnizimeve, e të cilët detyrohen të iu përmbahen atyre çmimeve që kanë kontraktuar disa muaj më herët. Njëkohësisht kjo ngritje e çmimit konsiderohet si një nga goditjet më të mëdha që i është bërë sektorit të ndërtimit.

“Planifikimi i bizneseve, projektet që zgjasin me vite e problemet e mëdha në operim ishin vetëm disa nga barrierat aktuale të sektorit që kanë vënë në pozita të pafavorshme bizneset, të cilave nuk u kanë mbetur alternativa të tjera për furnizim. Kjo shtuar faktit që bizneset janë në pikun e sezonit, dhe fluksi aktual i punëve, po ndikon në mënyrë direkte dhe zinxhirë edhe tek sektorët që ndërlidhen me ndërtim, duke rrezikuar kështu shumë prodhues dhe qindra e mijëra vende pune”, përfundon komunikata. 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat