​Murati i kundërpërgjigjet opozitës: Argumenti se qeveria nuk po e mbështetë ekonominë nuk qëndron aspak

Ekonomi

​Murati i kundërpërgjigjet opozitës: Argumenti se qeveria nuk po e mbështetë ekonominë nuk qëndron aspak

Më: 14 gusht 2022 Në ora: 11:42
Ministri i Financave, Hekuran Murati

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas deklaratave të përfaqësuesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke thënë se pagesat nga buxheti i shtetit për periudhën e parë 6-mujore të këtij viti, janë 1 miliardë e 38 milionë euro, më e larta ndonjëherë.

Murati ka shkruar në Facebook se me taksat që mbledh dhe rishpërndan, shteti është një kontribues i rëndësishëm në ekonominë e vendit. 

“Pagesat që shteti bën, qoftë në formë të pagave, pensioneve, mallrave që blen, apo edhe investimeve kapitale, që të gjitha kontribuojnë në ekonominë e vendit. Ditëve të fundit, nga opozita por edhe nga disa media, kemi parë një fushatë agresive e cila pretendon se qeveria ka bllokuar ekonominë, sepse nuk po shpenzon. Mirëpo, të dhënat, nga po ai raport të cilit i referohet opozita, tregojnë të kundërtën. Nga grafiku më poshtë, mund të shihet se periudha 6-mujore e parë e vitit 2022, për sa i përket shpenzimit është më e lartë se të gjitha vitet paraprake, madje edhe më e lartë se viti 2021, kur kishte edhe zgjedhje. Pra, argumenti se qeveria nuk po e mbështetë ekonominë e vendit, nuk qëndron aspak, sepse siç edhe mund të shihet nga grafiku, shpenzimet dhe pagesat nga buxheti i shtetit janë më të lartat ndonjëherë. Po, për opozitën ndoshta edhe nuk konsiderohet zhvillim ekonomik kur një nënë me shtesat që merr për fëmijët blen qumësht nga fermeri i fshatit, sepse opozita më me dëshirë ato para do t'ia jepte një kompanie në emër të punëve shtesë pa asnjë procedurë a bazë ligjore, dhe atë shpenzim do t'a quante investim kapital e zhvillim ekonomik. Për opozitën ndoshta mbështetja për subvencionimin e kredive investuese për prodhuesit vendorë nuk është zhvillim ekonomik, sepse në buxhet kjo mbështetje figuron si shpenzim tek kategoria Subvencione e Transfere, e jo si Shpenzim Kapital. Dhe këtë opozita e quan skemë sociale. Sepse për opozitën, zhvillim ekonomik është vetëm atëherë kur paratë e taksapaguesve ua jep supermarketeve”, ka shkruar ai.

Ai ka shkruar se për opozitën as rritja e subvencioneve për bujqit nuk është mbështetje e ekonomisë, sepse po të pyetej opozita, më mirë është të jepen 12 milionë euro për një tender të vetëm për konsulencë, sesa të mbështeten bujqit për sigurimin e bukës së vendit.

“Në këtë pikëpamje është e qartë se kemi dallime. Por kjo gjë tashmë është përcaktuar me 14 shkurt 2021. Qytetarët kanë zgjedhur modelin zhvillimor që kemi premtuar ne, dhe atë po e realizojmë. Po, edhe investimet kapitale do të bëhen. Njësoj sikur u bë vaksinimi, për të cilin thanë se nuk do të bëhej kurrë. Njësoj sikur u bënë shtesat për fëmijë e për nënat lehona, për të cilat thanë se nuk keni buxhet. Njësoj sikur po forcohet ushtria për të cilën thanë se nuk e ka të lejuar të blejë armatim. Njësoj sikur që do të bëhen të gjitha ato që kemi premtuar. Vetëm duhet kohë e durim”, ka shkruar ai.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat