​Shqipëria zgjeron me 1.5 miliardë lekë eksportet drejt Kosovës

Ekonomi

​Shqipëria zgjeron me 1.5 miliardë lekë eksportet drejt Kosovës

Më: 27 shtator 2022 Në ora: 12:38
Foto ilustrim

Marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës po vijnë duke u zgjeruar vit pas viti.

Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT) mbi tregtinë e jashtme, eksportet drejt Kosovës gjatë periudhës janar-gusht të këtij viti arritën 25 miliardë lekë, duke shënuar rritje me 1.5 miliardë lekë, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021-shit.

Ndërkohë, edhe importet shënuan rritje duke arritur në 10.4 miliardë lekë, nga 7.6 miliardë lekë që ishin në tetëmujorin e 2021-shit, raporton ATSh. 

Eksportet kryesore të Shqipërisë drejt Kosovës përfaqësohen nga eksporti i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, mineraleve dhe lëndëve djegëse, ushqimeve si dhe produkteve kimike dhe plastike. Të rëndësishme në strukturën e eksporteve shfaqen prodhimet vendase të drurit/mobilierisë si ndenjëset (karrige e kolltukë) apo mobilie të tjera.

Gjithashtu, edhe prodhimet bujqësore kanë peshë, ndër të cilat eksportin kryesor e zënë domatet, agrumet, pjepri dhe kastravecat.

Gjatë kësaj periudhe, referuar të dhënave, Shqipëria ka eksportuar më tepër drejt Kosovës 11.4 miliardë lekë materiale ndërtimi dhe metale dhe rreth 3.6 miliardë lekë minerale, lëndë djegëse, energji elektrike.

Por shkëmbimet ekonomike mes dy vendeve janë shumë më të gjera se vetëm flukset tregtare. Ato shtrihen në shkëmbime ekonomike në industrinë e turizmit, shërbimeve financiare, shkëmbime në fushën e arsimit dhe teknologjisë, transportit apo telekomunikacionit.

Potenciali është akoma më i madh dhe i qëndrueshëm për specializim të bashkëpunimit ekonomik dhe rritje të konkurrueshmërisë, me anë të konsolidimit të zinxhirit të vlerës nëpërmjet shkëmbimeve ndërsektoriale, në fusha si agropërpunim, industri kimike dhe kozmetike, prodhim artikuj paketimi prej plastike dhe letre, përpunim i metaleve, etj.

Nga sektorët e pashfrytëzuar deri tani, potencial për shkëmbime tregtare shfaqin sektorë si tekstilet, prodhimet e lëkurës, makineritë, prodhimet e detit, produkte druri të përpunuar, etj.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat