​ATK lanson tri shërbime elektronike që përmirësojnë shërbimet tatimore

Ekonomi

​ATK lanson tri shërbime elektronike që përmirësojnë shërbimet tatimore

Më: 13 dhjetor 2023 Në ora: 13:09
Zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Avni Zogiani

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), mbështetur nga programi i USAID për Qeverisje Ekonomike në Kosovë sot (e mërkurë) lansoi tri shërbime të reja elektronike, të cilat përfshijnë udhëzuesin interaktiv, kalkulatorët tatimor dhe denoncimi i parregullsive tatimore. Shërbime këto të cilat do të ndikojnë në lehtësimin e përmbushjes tatimore, ku qytetarët dhe Administrata Tatimore do të mund të kontribuojnë në mbledhjen e të hyrave tatimore për buxhetin e Kosovës.

Po ashtu, këto tri shërbime elektronike do të ndihmojnë tatimpaguesit të bëjnë vlerësim të obligimeve tatimore, të përmirësojnë të kuptuarit e përmbushjes tatimore dhe të raportojnë evazionin dhe parregullsitë tatimore në mënyrë elektronike.

Zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Avni Zogiani tha se këto shërbime kanë për qëllim përmirësimin e shërbimeve tatimore që ju ofrohen qytetarëve si dhe i kontribuojnë reformimit të brendshëm të ATK-së.

Ai potencoi se kanë nënshkruar një marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë prej 20 milionë eurosh, përmes së cilës parashihet ndërlidhja e sistemeve elektronike, mbrojta e të dhënave, si dhe rritja e numrit të shërbimeve të ofruara nga institucionet publike.

"Kanë për qëllim përmirësimin e shërbimeve tatimore që ofrojnë qytetarëve dhe gjithashtu i kontribuojnë reformimit të brendshëm të ATK-së. ...Digjitalizimi dhe zvogëlimi i barrës administrative janë disa nga prioritetet tona si MFPT dhe me këtë qëllim kemi nënshkruar një marrëveshjes me Bankën Botërore në vlerë prej 20 milionë eurove, përmes së cilës parashihet ndërlidhja e sistemeve elektronike, mbrojta e të dhënave, si dhe rritja e numrit të shërbimeve të ofruara nga institucionet publike...Aktivitet ky që përmes të cilit u krijua udhëzuesi interaktiv për obligimet tatimore kalkulatore tatimore si dhe u mundësua raportimi online i evazionit tatimor. Përmes këtyre veglave digjitale mundësohet përfshirja sa më e tatimpaguesve në ombrellën e platformës për deklarim elektronik, duke lehtësuar qasjen në informacionin për të gjithë dhe duke bërë shërbimet më të qasshme dhe duke mundësuar zvogëlimin e barrës administrative", tha Zogiani.

Ndërkaq, drejtori në Zyrën për Rritje Ekonomike në USAID, Alexander Albertine tha se lansimi i këtyre shërbimeve do të përmirësojë më tutje përvojën e tatimpaguesve.

Ai tha se është shumë inkurajuese që përmes këtyre përfitimeve që janë bërë, ATK vazhdon që të përmirësojë shërbimet për tatimpaguesit, derisa u shpreh i sigurt që ATK do të përfitojë shumë nga kjo.

Ndër të tjera, Albertine përgëzoj ATK-në, siç tha ai për progresin e jashtëzakonshëm të bërë në vitet e fundit për të përmirësuar shërbimet e ofruara për tatimpaguesit dhe qytetarët.

“USAID-i ka pasur kënaqësinë të mbështesë përpjekjet e qeverisë si pjesë e qëllimit tonë të përbashkët për të nxitur një rritje ekonomike gjithëpërfshirëse nga e cila përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës. Dua të përgëzoj ATK-nëpër progresin e jashtëzakonshëm të bërë në vitet e fundit për të përmirësuar shërbimet e ofruara për tatimpaguesit dhe qytetarët. Që nga lansimi i platformës, deklarimit elektronik me mbështetjen teknike nga disa projekte të USAID-it kemi parë një avancim të jashtëzakonshëm si në rritjen e përdorimit të platformës për deklarimin elektronik por edhe rritje të mbledhjes së të hyrave nga ATK-ja dhe këto rritje kanë qenë të konsiderueshme", theksoi Albertine.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj tha se përkrahja e USAID-it në ngritje të kapaciteteve të ATK datojnë që nga themelimi i ATK-së.

Murtezaj theksoi se përkundër vështirësive, ATK-ja vazhdon të shtojë numrin e tatimpaguesve, të rris kualitetin e shërbimeve dhe të zgjerimin e gamës së shërbimeve.

Ai potencoi se ATK kujdeset që edhe siguria e tatim paguesve të jetë në nivel, derisa shtoi se si institucion po bëjnë përpjekje të ulin kostot e administrimit tatimor, duke rritur efikasitetin e brendshëm përmes automatizimit të proceseve të punës.

"Përkrahja e USAID-it në ngritje të kapaciteteve të institucionit të ATK-së daton që nga themelimi i këtij institucioni...Ne si ATK kuptojmë rëndësinë e mobilizimit apo mbledhjes së të hyrave tatimore në nivel të vendit. Për shkak se jemi dëshmitar të nevojave buxhetore në rritjen nga njëra anë si dhe potencialit të ekonomisë së Kosovës për të rritur aktivitetin ekonomik nga ana tjetër...ATK në kuadër të sistemit elektronik të deklarimit të tatimeve menaxhon në mënyrë të pavarur me data bazën më të madhe të përdoruesve në sektorin publik në baza ditore... Përkundër vështirësive ATK ja del që të shtojë numrin e tatim paguesve dhe të rrisë kualitetin e shërbimeve ndaj tyre dhe të zgjerojë gamën e shërbimeve elektronike që ofrohen...Jemi të vetëdijshëm edhe për përgjegjësinë e madhe që sjell implementimi i veglave digjitale. Si institucion po bëjmë përpjekje që çdo herë e më tepër të ulim kostot e administrimit tatimor duke rritur efikasitetin e brendshëm përmes automatizimit të proceseve të punës", potencoi Murtezaj.

Ndërkaq, përveç tjerash, këto tri shërbime të cilat përfshijnë udhëzuesin interaktiv, kalkulatorët tatimor dhe denoncimi i parregullsive tatimore do të ndikojnë në mbledhjen e të hyrave tatimore për buxhetin e Kosovës në mënyrë më efikase dhe transparente. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat