Përfaqësues të shoqatave të biznesit në Kosovë dhe Itali kanë diskutuar sot në Prishtinë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik, investimeve dhe shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve.
Takimi është organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK), me pjesëmarrjen e presidentit të Konfederatës së Sindikatave të Punëdhënësve për Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme – Confimprese Italia, Guido D’Amico. Ai shoqërohej nga Muharrem Salihu, president i Confimprese Venice-Itali.
Në takim morën pjesë edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, si dhe drejtori ekzekutiv i Dhomës Ekonomike të Britanisë në Kosovë, Bekim Kastrati.
Ky aktivitet është vazhdimësi e angazhimeve të DHTIK-së me Confimprese Italia, me synim forcimin e lidhjeve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Italisë.
Kryetari i Bordit të DHTIK-së, Skender Krasniqi, tha se shoqatat e biznesit në Kosovë synojnë zhvillimin e ekonomisë, rritjen e investimeve të huaja, shtimin e prodhimit dhe zgjerimin e eksporteve, bëhet e ditur në komunikatën për media, transmeton KosovaPress.
Sipas tij, këto objektiva janë veçanërisht të rëndësishme në një kohë kur tregu i Kosovës vazhdon të përballet me nivel të lartë të importeve.
Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, deklaroi se bizneset kosovare janë të interesuara dhe të përgatitura për zgjerimin e bashkëpunimit, si dhe rritjen e eksporteve drejt tregut italian.
Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i Dhomës Ekonomike të Britanisë në Kosovë, Bekim Kastrati, theksoi rëndësinë e krijimit të partneriteteve të qëndrueshme ndërmjet komuniteteve të biznesit.
Ai vlerësoi se bashkëpunimi ekonomik ndërkombëtar është një nga shtyllat kryesore për rritjen ekonomike, inovacionin dhe konkurrueshmërinë.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta, përfshirë takimet B2B dhe ato të fokusuara në sektorë të caktuar të ekonomisë.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2025, Kosova eksportoi në Itali mallra në vlerë rreth 28,9 milionë euro, ndërsa importet nga ky shtet arritën në 369,4 milionë euro.
Ndërkohë, investimet nga Italia në Kosovë gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti arritën në 8,9 milionë euro.