Kontratat e së ardhmes për naftën e papërpunuar të llojit Brent për dërgesat e janarit janë rritur këtë javë, duke u tregtuar sot rreth 96 dollarë për fuçi, pasi të enjten arritën nivelin më të lartë që nga java e zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.
Ky tregues referencë global për naftën pritet të shënojë rritjen e parë javore këtë muaj, me një shtim prej rreth 3,5% gjatë javës, raporton CNN.
Çmimet mbeten ende larg niveleve të larta prej afro 120 dollarësh për fuçi, të vërejtura në periudha të ndryshme gjatë konfliktit me Iranin, por ato janë rimëkëmbur pasi kishin rënë nën 90 dollarë në fillim të kësaj jave.
Prej javësh, çmimet e naftës kishin shënuar rënie pjesërisht pasi presidenti amerikan Donald Trump u përmbajt nga përshkallëzimi i veprimeve ushtarake në Lindjen e Mesme pas zgjedhjeve të mesmandatit.
Megjithatë, një valë e re sulmesh në Lindjen e Mesme ka bërë që çmimet të rriten sërish ditët e fundit.
Kontratat e së ardhmes për naftën e llojit West Texas Intermediate (WTI), e cila tregtohet në SHBA, shënuan rritje sot, duke u ngjitur me 1 për qind dhe duke u tregtuar rreth 84,50 dollarë për fuçi.
Irani ka vazhduar të godasë cisternat që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit. Sipas një analize të CNN, e cila bazohet në të dhënat nga Qendra e Operacioneve Detare Tregtare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO), në muajin nëntor janë raportuar rreth dhjetëra sulme, shifër kjo që i afrohet rekordit prej 30 sulmesh të regjistruara në tetor.
Të dhënat paraprake nga "Kpler", të publikuara sot, treguan se gjatë javës që përfundoi më 25 nëntor, vëllimi i naftës që kalonte përmes ngushticës ishte në nivelin 55% të atij të para luftës, kjo tregon se sulmet po ndikojnë në transportin detar.
Kontrata e ardhshme e Brent për muajin e parë ndryshon nga kontrata e vazhdueshme e Brent, e cila gjithashtu monitorohet nga afër, e cila u tregtua rreth 92 dollarë sot.
Ndryshe, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe aleatët e saj, të njohur si OPEC+, do të takohen të dielën. Analistët që presin që anëtarët mund të marrin në konsideratë mbajtjen e prodhimit të qëndrueshëm deri në janar pavarësisht presionit nga disa prodhues për të rritur kuotat.