Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bërë të ditur se pas njoftimit të pranuar përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), lidhur me praninë e nivelit të lartë të akrilamidës në një produkt kafeje të bluar me origjinë nga Kosova të eksportuar në Republikën e Kroacisë, janë ndërmarrë menjëherë veprimet e nevojshme ligjore.
Sipas AUV-së, në përputhje me Planin Vjetor të Inspektimit dhe parimin e vlerësimit të riskut, janë realizuar kontrolle të detajuara inspektuese dhe analiza laboratorike për të gjitha brendet e kafesë që përpunohen për konsum brenda vendit, si dhe për ato që destinohen për eksport nga Republika e Kosovës.
Rezultatet e analizave laboratorike kanë konfirmuar se, në përputhje me standardet e sigurisë ushqimore, nivelet e akrilamidës në të gjitha produktet e testuara janë nën kufirin maksimal të lejuar.
Bazuar në këto gjetje, AUV ka njoftuar se operatorët e bizneseve ushqimore mund të vazhdojnë normalisht tregtimin e kafesë.
Agjencia thekson se do të vazhdojë monitorimin e vazhdueshëm të produkteve ushqimore, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik.