LIVE: Bashkëpunimi Rusi-Arabi, ky është paralajmërimi i fundit nga presidenti Biden – Ushtria ukrainase triumfon në Herson

Evropë

LIVE: Bashkëpunimi Rusi-Arabi, ky është paralajmërimi i fundit nga presidenti Biden – Ushtria ukrainase triumfon në Herson

Nga: Bota sot Më: 12 tetor 2022 Në ora: 07:11 Përditësuar në ora: 14:36 më 12.10.2022
Presidenti amerikan, Joe Biden

Arrestime për sulmin në urën e Krimesë, ndërsa sulmohet tregu në rajonin e Donetskut

Nga: M.L.

Rusia thotë se ka arrestuar tetë persona në lidhje me shpërthimin e së shtunës në një urë kyçe që lidh Rusinë me Krimenë, raporton BBC transmeton “Bota sot”.

Shërbimi i saj i sigurisë FSB tha se pesë nga të arrestuarit ishin rusë, ndërsa të tjerët ishin ukrainas dhe armenë.

Ajo thotë se Kievi qëndronte pas sulmit, por një zyrtar ukrainas e përshkroi hetimin rus si "të pakuptimtë".

Lajmi erdhi pasi të paktën shtatë persona u raportuan të vrarë në një sulm në një treg në qytetin lindor të Avdiivka.

Kreu ushtarak rajonal i Donetskut, Pavlo Kyrylenko tha se sulmi në qytetin e kontrolluar nga ukrainasit u zhvillua në një kohë të ngarkuar, duke shtuar se të paktën tetë persona të tjerë u plagosën.

Ai këshilloi të gjithë banorët e rajonit, i cili është pjesërisht i pushtuar nga Rusia, të evakuohen.

Diku tjetër, tre persona, duke përfshirë një vajzë gjashtëvjeçare, u plagosën rëndë nga bombardimet në Nikopol, në rajonin e Dnipropetrovsk, tha një zëdhënës presidencial ukrainas.

Ministria e emergjencës e Ukrainës raportoi se disa raketa S-300 kishin rënë në dhe rreth Zaporizhzhia, me një që shkatërroi një ndërtesë banimi në një periferi. Ai tha se një familje u tërhoq nga rrënojat.

Ndërkohë, Hugo Bachega i BBC-së në Kiev tha se pesë shpërthime ishin dëgjuar në Kherson, një nga qytetet më të mëdha nën pushtimin rus, ndërsa kishte raporte të pakonfirmuara se sistemi i mbrojtjes ajrore në qytetin jugor ishte aktivizuar.

Ai tha se nuk ishte e qartë se çfarë kishin shkaktuar shpërthimet.

Ushtria e Ukrainës tha se trupat e saj po vazhdonin avancimin e tyre në rajon, duke kapur pesë vendbanime të tjera.

Polonia njofton rrjedhje në tubacionin që transporton naftë nga Rusia në Evropë

Operatori polak i tubacionit Pern njoftoi sot rrjedhje në një linjë të tubacionit Druzhba, i cili transporton naftë nga Rusia në Evropë.

Kompania njoftoi se për momentin nuk dihet shkaku i rrjedhjes. Rrjedhja është zbuluar në një pjesë të tubit rreth 70 km nga qyteti qendror polak Plock, shkrua The Guardian. 

Linja e dytë e gazsjellësit dhe elementët e tjerë të infrastrukturës së Pernit po funksionojnë normalisht, tha Pern.

“I gjithë stafi i PERN-it, teknikë, mbikëqyrës, zjarrfikës, ambientalistë, punojnë në bazë të planeve që janë hartuar për incidente të tilla”, thuhet në fund të njoftimit të kompanisë.

Kjo rrjedhje vjen menjëherë pas rrjedhjes në tubacionin e gazit natyror Nord Stream, që dyshohet se është sabotim, megjithatë askush nuk ka deklaruar zyrtarisht se kush qëndron pas rrjedhjeve.

Ukraina: 30% e infrastrukturës energjetike është goditur nga raketat ruse

Ministri i energjisë së Ukrainës, Herman Halushchenko,  tha se 30% e infrastrukturës energjetike të vendit është goditur nga raketat ruse.

Ai tha kjo ishte hera e parë që nga fillimi i luftës që Rusia kishte “shënjestruar në mënyrë dramatike” infrastrukturën energjetike të Ukrainës.

Ministria ruse e mbrojtjes konfirmoi më herët se trupat e saj po vazhdonin sulmet ajrore me rreze të gjatë në infrastrukturën ushtarake dhe energjetike të Ukrainës.

Raportet sugjeruan se gjashtë persona u plagosën në një sulm të dytë rus në termocentralin Ladyzhyn (LTPP) në rajonin Vinnytsia të Ukrainës.

Komentet e Halushchenkos vijnë pasi disa vende të NATO-s dhe OKB-ja kanë paralajmëruar se Rusia mund të jetë duke kryer krime lufte me sulmet e saj të vazhdueshme ndaj objektivave civilë.

​Biden: Putin i ka bërë llogaritë gabim për Ukrainën

Teksa bombardimet ruse mbi Ukrainë vijojnë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden deklaron se homologu i tij rus i ka bërë gabim llogaritë mbi Ukrainën. Në një intervistë për CNN, presidenti amerikan e ka cilësuar Putin si një aktor racional.

“Unë mendoj se ai është një aktor racional që ka llogaritur gabimisht. Ju dëgjoni atë që ai thotë. Nëse e dëgjoni fjalimin që ai bëri kur u mor vendimi, ai foli për të gjithë idenë, ai duhej të ishte lideri i Rusisë që bashkonte të gjithë rusishtfolësit. Dua të them, thjesht mendoj se është irracionale”, tha Biden.

Biden, paralajmëroi javën e kaluar se rreziku i "armagedonit bërthamor" ishte në nivelin më të lartë në 60 vjet, dhe se kërcënimet që vijnë nga Rusia mund të rezultojnë në "gabime" dhe "llogaritje të gabuara" katastrofike.

Biden deklaroi se do të kishte "pasoja" edhe për Arabinë Saudite pasi ajo u bashkua me Moskën për të njoftuar një ulje të prodhimit të naftës, një veprim që mund të shkaktojë rritjen e çmimeve të gazit me afrimin e zgjedhjeve afatmesme të nëntorit.

Duke shkuar më tej, Biden tha se Putin gabimisht besonte se ukrainasit do t'i nënshtroheshin pushtimit rus, një gjykim i gabuar që është hedhur poshtë nga rezistenca e ashpër brenda vendit.

“Mendoj se fjalimi, objektivat e tij nuk ishin racionalë. Unë mendoj se ai mendoi, mendoi se do ta mirëprisnin krahëhapur, se kjo ishte shtëpia e Nënës Rusi në Kiev dhe se ku do të pritej, dhe mendoj se ai thjesht e llogariti gabimisht”, tha Biden.

I pyetur nëse do të takohej me Putinin në samitin e Grupit 20 të muajit të ardhshëm në Indonezi, Biden tha se nuk shihte arsye për t'u takuar.

“Do të varej konkretisht nga ajo për të cilën ai donte të fliste. Por shikoni, ai ka vepruar brutalisht, ai ka vepruar brutalisht. Unë mendoj se ai ka kryer krime lufte. Dhe kështu që nuk e bëj, nuk shoh ndonjë arsye për t'u takuar me të tani”, tha Biden.

Rusia thotë se ka arrestuar tetë persona për shpërthimin në Krime

Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (FSB) tha më 12 tetor se ka arrestuar pesë rusë dhe tre shtetas të Ukrainës dhe Armenisë lidhur me shpërthimin që dëmtoi Urën e Krimesë.

Shpërthimi në Urën e Krimesë, që lidh Rusinë dhe këtë gadishull të aneksuar ukrainas, ndodhi më 8 tetor, dhe zyrtarët thanë se tre persona vdiqën si pasojë e shpërthimit.

FSB-ja pretendoi se shpërthimi ishte organizuar nga Drejtoria kryesore e inteligjencës së Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës, dhe drejtori i këtij institucioni, Kyrylo Budanov.

Presidenti rus, Vladimir Putin, më herët po ashtu ka fajësuar Ukrainën për shpërthimin në Urën e Krimesë, duke e cilësuar si akt “terrorizmi”.

Më 10 tetor, forcat ruse sulmuan nga ajri disa qytete ukrainase, përfshirë edhe Kievin. Këto sulme, që lanë të vdekur të paktën 19 persona dhe plagosën mbi 100 të tjerë, Moska tha se ishin në shenjë hakmarrjeje për shpërthimin në Urën e Krimesë.

Rusia po ashtu ka sulmuar disa qytete ukrainase edhe më 11 tetor, teksa Ukraina, që po përballet me pushtimin rus që nga 24 shkurti, ka kërkuar që shtetet perëndimore t’i dërgojnë sisteme të mbrojtjes ajrore.

FMN: “Më e keqja do të vijë”

Corona, lufta në Ukrainë, inflacioni: Fondi Monetar Ndërkombëtar në sfondin e shumë krizave sheh rreziqe të mëdha për ekonominë botërore. Por recesioni nuk do t’i prekë të gjithë.

Një e treta e ekomonisë botërore mund të bjerë në recesion deri në vitin 2023, thuhet në parashikimin e ri të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Parashikimi është me notën më të dobët si asnjëherë më parë në rreth 20 vitet e fundit – me përjashtim të parashikimeve gjatë pandemisë  dhe krizës botërore financiare.

Si arësye kryesore FMN përmend rritjen e vrullshme të çmimeve që pas sulmit rus ndaj Ukrainës, gjë që ka kufizuar dukshëm aftësinë blerëse. Ekonomia botërore ndodhet përpara sfidash gjigante, sepse inflacioni është më i zgjatur nga sa mendohej e edhe Kina po e humbet aftësinë blerëse. "Më e keqja pritet të vijë dhe shumë njerëz më 2023 do të kenë ndijesinë e një recesioni", thotë ekonomisti i FMN-së, Pierre-Olivier Gourinchas.

Në përgjithësi FMN-ja e ka ulur sërish parashikimin për 2023. Sipas raportit të fundit ekonomia botërore do të rritet me vetëm 2,7 përqind, në korrik priten 2,9 përqind. Për vitin në vazhdim 2022 llogaritet një plus prej 3,2 përqind. Kundrejt vitit 2021 me një rritje 6,0 përqind, kuota aktuale është e zbehtë.

Rajonet më të rëndësishme ekonomike po dobësohenEuropa është veçanërisht e prekur nga lufta në Ukrainë. Çmimet e gazit që nga viti 2021 janë katërfishuar. Në SHBA konsumi nuk po i jep më impulse si zakonisht ekonomisë dhe në Kinë kanë efekt negativ kufizimet prej Coronës si dhe tensionet në tregun e imobiljeve.

Kur do të marrë fund inflacioni? 

FMN parashikon që inflacioni ndërkohë në shumë vende është në nivelin më të lartë prej disa dekadashdhe në fund të 2022 do të arrijë kulmin. Por ai do të vazhdojë të mbetet në nivel dukshëm të lartë. Në mbarë botën çmimet e konsumit do të rriten me 8,8 përqind dhe në 2023 me rreth 6,5 përqind. Kësisoj parashikimet e deritanishme sërish do të korrigjohen me shifra në rritje. Më 2024 pritet një rritje e çmimeve me 4,1 përqind. Vendet në ekspansion dhe ato në zhvillim do të preken më rëndë se vendet e industrializuara. Për to forcimi i dollarit, aktualisht në nivelin më të lartë prej dy dekadash është një problem i madh.

Në fokus janë aktualisht edhe bankat e rezervave, që së fundi po përpiqen t'i rrisin ndjeshëm interesat për të arritur një zhvillim të qendrueshëm të çmimeve. Sipas FMN-së kjo politikë mund të ketë pasoja, sepse rritja e interesave mund t'i zerë frymën rritjes ekonomike, ndërsa ngurrimi për rritjen e interesave nuk mund ta frenojë inflacionin.

Ekonomia e Rusisë po tkurret më pak nga sa ishte menduar

Një tjetër rezultat i raportit  vjetor është, se ekonomia ruse ndonëse do të ketë tkurrje sivjet dhe vitin e ardhshëm, rënia e saj do të jetë më e ulët nga sa ishte parashikuar. Sipas këtij raporti produkti bruto në vend i Rusisë më 2022 do të bjerë me 3,4 përqind dhe më 2023 me 2,3 përqind. Efekti i sanksioneve të Perëndimit ndihet pak në sektorin financiar të Rusisë. Edhe tregu i punës është rezistent, sipas FMN-së. 

Ngadalësim në tri ekonomitë më të mëdha

Qysh përpara prezantimit të raportit vjetor shefja e FMN-së, Kristalina Georgieva, kishte bërë të qartë, se parashikimet për koniunkturën janë ulur. Edhe ajo thekson, se gjendja mund të përkeqësohet edhe më tej, përpara se të nisë përmirësimi. Në sfondin e luftës ruse në Ukrainë dhe të pandemisë pasiguria është ekstremisht e lartë. Mund të ketë më shumë shok ekonomik. "Ne shohim ngadalësim në tri ekonomitë më të rëndësishme në botë", tërhoqi vëmendjen  Georgieva në hapje të mbledhjes vjetore të Bankës Botërore në Uashington. Dobësimi i rritjes ekonomike në SHBA, Kinë dhe në Eurozonë ka pasoja të ndjeshme ndaj ekonomisë botërore./DW

Shefi i NATO-s: Sulmet e Rusisë në Ukrainë janë “shenjë dobësie”

Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg informoi mediat, dy ditë pas intensifikimit të sulmeve raketore ruse në Ukrainë. Deklaratat e tij vijnë në prag të takimit të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel 

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg jep një konferencë shtypi përpara takimit të Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, Belgjikë.

Vendet e NATO-s duan të rrisin kapacitetet e prodhimit për municione dhe pajisje për shkak të luftës së vazhdueshme në Ukrainë. "Sa më shumë të zgjasë kjo luftë, aq më e rëndësishme është që ne të jemi në gjendje të rimbushim depot e armatimit," tha të martën në Bruksel Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg.

Stoltenberg i bëri deklaratat në prag të takimit dyditor të ministrave të mbrojtjes së 30 vendeve anëtare të NATOS, të mërkurën dhe të enjten në Bruksel. "Vendet anëtare do të sigurojnë kërkesën afatgjate për industrinë, e cila nga ana e vet do të duhet të investojë në kapacitete të reja prodhuese”, tha Stoltenberg. Rritja e prodhimit duhet të përshpejtojë edhe dërgimin e materialeve në Ukrainë, e cila ka nevojë për një "gamë të gjerë sistemesh të ndryshme" në luftën kundër Rusisë. Stoltenberg dha si shembull artilerinë, mjetet e blinduara, sistemet e mbrojtjes ajrore, si dhe karburantin, veshjet dimërore, sistemet e komunikimit dhe pjesët rezervë.

Nato nuk sheh ndryshim në sjelljen e Rusisë

Sa i përket deklaratave të fundit, që vijnë nga Kremlini, për kërcënime me armë bërthamore, sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg tha se NATO nuk kishte vërejtur ndonjë dallim në qëndrimin e  Rusisë, pavarësisht këtyre deklaratave. Por Stoltenberg shtoi se aleanca ushtarake duhej të vijojë të jetë vigjilente.

"Ndërsa Rusia po përdor gjithnjë e më shumë sulme të tmerrshme dhe pa dallim mbi civilët dhe infrastrukturën kritike, presidenti Putin po dështon në Ukrainë”, tha Stoltenberg.

Kreu i NATO-s tha gjithashtu se Putini e filloi luftën duke pushtuar Ukrainën dhe për këtë arsye i takon presidentit rus që t'i japë fund konfliktit duke tërhequr trupat.

"Rusia në fakt po humb në fushën e betejës”, tha Stoltenberg. Stoltenberg, deklaratat e të cilit vijnë dy ditë pas intensifikimit të sulmeve raketore ruse në Kiev dhe qytete të tjera të Ukrainës tha: "Unë mendoj se ajo që pamë dje është në fakt një shenjë dobësie, sepse e vërteta është se Rusia nuk po arrin të përparojë, përkundrazi, Rusia po humbet në fushën e betejës”.

Me një dimër të vështirë përpara, është edhe më e rëndësishme që Amerika e Veriut dhe Evropa të vazhdojnë të qëndrojnë të bashkuar në mbështetje për Ukrainën dhe në mbrojtje të qytetarëve tanë”, tha Stoltenberg.

Stërvitja e reagimit bërthamor të NATO-s do të vazhdojë

Ndërkohë, NATO do ta kryejë stërvitjen e saj vjetore të reagimit bërthamor "Steadfast Noon" javën e ardhshme, siç ishte planifikuar, u tha Stoltenberg gazetarëve.

"Ky është trajnim rutinë që ndodh çdo vit” tha Stolteberg, dhe do të ishte një sinjal i gabuar, nëse do ta anulonim, pikërisht tani. "Rusia e di se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet bërë kurrë”, tha Stoltenberg duke iu referuar "kërcënimeve të fshehta bërthamore” të Kremlinit.

Presidenti Putin ka kërcënuar se do të mbrojë tokën ruse duke përdorur të gjitha masat e nevojshme – duke përfshirë përdorimin e armëve bërthamore. Moska kohët e fundit aneksoi katër rajone të Ukrainës, duke shkelur të drejtën ndërkombëtare, dhe Putini ka thënë se Rusia do t'i shihte sulmet e Ukrainës në këto rajone si sulme ndaj vetë Rusisë./DW

Pesë shpërthime të fuqishme në Khersonin e pushtuar nga Rusia

Pesë shpërthime u dëgjuan në qytetin Kherson të kontrolluar nga Rusia në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, sipas mediave ruse, duke shtuar se sistemet e mbrojtjes ajrore thuhet se janë lëshuar.

Kherson, qendra administrative e rajonit më të gjerë Kherson, ishte një nga qytetet e para që ra në duart e forcave ruse pasi ato filluan pushtimin e tyre në Ukrainë në shkurt, raporton Sky News, përcjell Bota sot.

Më herët, Ivan Fedorov, kryebashkiaku në mërgim i Melitopolit të kontrolluar nga Rusia në jug të rajonit Zaporizhzhia, tha në aplikacionin e mesazheve Telegram se kishte një shpërthim të fuqishëm në qytet.

RIA raportoi, duke cituar policinë lokale të instaluar nga Rusia, se një pajisje shpërtheu pranë tregut qendror të qytetit. Raportohet se nuk ka pasur viktima.

Biden pyetet a do t’i përdorë Putini armët bërthamore, ky është reagimi i tij

Joe Biden thotë se ai nuk beson se Vladimir Putin do të përdorte një armë taktike bërthamore në luftën me Ukrainën.

Duke folur për CNN, Presidenti i SHBA tha "Epo, nuk mendoj se do ta bëjë" kur u pyet se sa realiste ishte kjo perspektivë, përcjell Bota sot.

Doktrina bërthamore ruse lejon përdorimin e asaj që njihet si një armë bërthamore taktike.

Ajo lejon një shpërthim të kufizuar bërthamor - që të vendoset në një konflikt konvencional për ta bërë armikun të tërhiqet./A.ZH

Ish-zëvendëskomandanti i Forcës Detare: Armët bërthamore të Rusisë mund të godasin deri në SHBA

Ish-zëvendëskomandanti i Forcës Detare Artur Meçollari thotë se armët strategjike bërthamore për të cilat pretendon Rusia mund të godasin deri në territorin e SHBA.

Në emisionin Now në Euronews Albania, Meçollari u shpreh se dallimi qëndron te koha që ka dispozicion pala tjetër për të kundërvepruar dhe platforma nga kryhen sulmet bërthamore.

“Armët strategjike mund të godasin deri në SHBA. Nga pikëpamja e rrezes, pastaj është koha në dispozicion që ka pala tjetër për të kundërvepruar. Në armët e lëshuara nga nëndetëset koha në dispozicion për të reaguar është me vogël. Këto armë shkojnë deri në 10 mijë kilometra por varet nga koha e reagimit për t’i asgjësuar në ajër”, tregoi ushtaraku i lartë.

Sipas tij, përdorimi i armëve bërthamore sot është i vështirë pasi opinioni i sotëm publik nuk është ai i 1945, por është shumë më tepër sensitiv, përfshirë edhe atë rus.

“I pari që do e shkrepë armën bërthamore do ketë pasoja të rënda nga opinioni publik. Është një shkurajim që kërkon t’i bëhet opinionit publik. Veprimet duan të japin idenë se kërcënimi është real. Objekti i kësaj retorike nukleare është opinioni publik”, u shpreh Meçollari.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat