Këshilltari për refugjatë në Gjermani, Bashkim Osmanaj tregon detajet e azilit dhe integrimin e shqiptarëve atje

Gjermania

Këshilltari për refugjatë në Gjermani, Bashkim Osmanaj tregon detajet e azilit dhe integrimin e shqiptarëve atje

Më: 30 nëntor 2020 Në ora: 11:32
Bashkim Osmanaj

Bashkim Osmanaj, këshilltar për refugjatë në Gjermani, në një intervistë ka folur për punën dhe veprimtarinë që bënë atje.

Në veçanti, Osmanaj ka folur lidhur me azilin e refugjatëve atje dhe mundësitë e tyre.

Duke folur për integrimin e shqiptarëve në Gjermani, Osmanaj thekson se shteti gjerman ka bërë mjaftueshëm për të huajt atje.

Intervista e plotë:

Z. Osmanaj, ju punoni që 10 vite në cilësinë e këshillëtarit për refugjatë në Gjermani, na tregonin në pika të shkurtëra për ecurinë e punës tuaj dhe për c`farë shërbimesh drejtohen refugjatët tek ju?

Po, është e vërtetë, unë punoj në cilësinë e këshillëtarit për refugjatë (Flüchtlingsberatung) për gati 10 vite në qytetin e Hernes, landit të Vestfalisë (NRW). Në këtë qytet jetojnë shumë refugjatë të ardhur nga 141 shtete të botës. Ne si zyrë e integrimit, ndihmojmë dhe këshillojmë klientë që drejtohen tek ne. Po i përmend vetëm disa nga shërbimet; Informojmë dhe ju shpjegojmë hollësisht rreth procedurave të azilit, ndihmojmë në të gjitha proceduart rreth bashkimit familjarë, në plotësimin e formularëve që marrin nga ente të ndryshme, nga ai i punësimit, bamfi, shtesave fëmijërore, entet shëndëtesore etj. Gjithashtu shumë klientë i shoqërojmë tek zyrat e entit për të huajt (Ausländerbehörde), tek zyrat e avokatëve, ndihmojmë në integrimin e tyre dhe në gjetjen e kurseve të gjuhës gjermane.

Z. Osmanaj, ju përmendet se këshilloni dhe ndihmoni klientët rreth procedurave të azilit, mund të na elaboroni se për c´farë procedurash bëhët fjalë?

Procedurë e azilit nënkuptohet që nga arritja, regjistrimi, kërkesa për azil, pastaj intervistimi dhe deri tek përfundimi i procedurës së azilit. Në rast të një vendimi pozitiv që lëshohet nga zyra për të huaj(BAMF) ju merrni një leje të qëndrimit. Nëse kërkesa juaj refuzohet si nga ana e zyrës federale për refugjat dhe migracion poashtu edhe më vonë nga gjykata, jeni të detyruar të largoheni nga Gjermania deri në afatin i cili ju është përcaktuar me atë rast. Nëse largimi nuk bëhët me vetëdëshirë, atëherë mund të dëboheni me dhunë.

Mund të na shpjegoni se, ciëlt refugjatë gëzojnë të drejtën e lejeqëndrimit në Gjermani dhe ciëlt duhet te kthehen vullnetarisht apo të dëbohen?

Refugjatët/Azilkërkuesit që vijnë nga zonat e luftës dhe krizës(Siria, Irani, Iraku Somalia, Eritrea dhe Afganistani) përfitojnë të drejtën e lejeqëndrimit në republikën Federale Gjermane. Kushtetuta gjermane garanton të drejtën për azil për të përndjekurit politik. Azilkërkuesit që vijnë nga Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova, nga shtetet e ish bashkimit sovjetik dhe nga disa shtete të azisë dhe afrikës, thuajse nuk kanë fare shansë të ju njihet e drejta e azilit. Kjo aryetohet me faktin se, Gjermania në fund të vitit 2015 i klasifikoi shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe shume shtete tjera si "vende të sigurta origjine", pra si shtete ku nuk ka përndjekje politike. Ata pak azilkërkues nga keto vende që fitojnë status qëndrimi në Gjermani, kalojnë nga komisioni i rasteve të vështira (Härtefallkommission).

Për çfarë bëhet fjalë në periudhën e kërkesës së azilit?

Në periudhën e kërkesës së azilit BAMF (Enti federal për migracion dhe refugjatë) së pari verifikon, a është Gjermania përgjegjëse për kërkesën tuaj për azil. Shumë shtete në Evropë, ndër ato edhe Gjermania, kanë nënshkruar nje marrëveshje (marreveshja e Dublinit), që vetëm një prej shteteve të marrë përgjegjsinë për përpunimin e kërkesës për azil. Mund të mbyllet proçesi i azilit në Gjermani, nëse keni dorëzuar një kërkesë për azil në një shtet tjetër evropian, nëse jeni regjistruar nga institucionet në një shtet tjetër evropian, nëse keni udhëtuar me një vizë të një shteti tjetër evropian ose nëse keni ndonjë lloj vërtetimi që keni qëndruar në një shtet tjetër evropian.

Nëse kërkesa juaj për azil do të përpunohet në Gjermani, atehere do të intervistoheni personalisht nga një punëtor i BAMF-it për shkaqet e ikjes. Intervista ka përafersisht diku rreth 25 pyetje, ku të iepet mundësia të deklaroni sa më saktë shkaqet e ikjes. Nënpunësit e BAMF-it e përmbledhin gjithë procedurën intervistës dhe përgjigjet e juaja në një protokoll. Vendimi („Bescheid“) i BAMF-it për kërkesën tuaj për azil do të vijë me postë. Nëse ju vjen përgjigja negative, është e drejta juaj dhe keni mundësinë të kundërshtoni në gjykatë. Nëse në faqen e pare shkruan, „Der Antrag auf Asylanerkennung wird abgelehnt“, (“Kërkesa për azil nuk pranohet”), keni dy javë kohë që të kundërshtoni në gjykatë. Sidoqoftë duhet patjetër të kontaktoni avokaten ose një zyre këshilluese si neve.

A ekziston ndonjë mundësi që atyre azilkërkuesve që iu refuzohet e drejta e azilit të qëndrojnë në Gjermani?

Pyetje shumë me vend. Sigurisht që po. Ish-refugjatët dhe ish-azilantët që nuk u takon të qëndrojnë në Gjermani por tolerohen, pra janë me Duldung, kanë dy mundësi për të rregulluar statusin;

duke mësuar një profesion (Ausbildungsduldung) duke gjetur një vend pune (Beschäftigungsduldung). Ata parimisht nuk lejohen të fillojnë me një veprimtari pune gjatë tre muajve të parë të qëndrimit në Gjermani. Më pas autoriteti i të huajve, me kërkesë, mund t‘ ju japë atyre një leje pune për një veprimtari të caktuar tek një punëdhënës.

Është folur shumë për ligjin e ri “mbi punësimin në Gjermani të punonjësve të kualifikuar”, cka mund të na thuani në lidhje me këtë?

Më 1 mars të ketij viti ka hyrë në fuqi ligji për fuqinë e kualifikuar punëtore në Gjermani. Ky ligj ua lehtëson qytetarëve nga vendet e treta jashtë BE, ardhjen me punë në Gjermani. E rëndësishme është që, fillimisht behet njohja zyrtare të kualifikimit nga autoritetet përgjegjëse në Gjermani. Sapo të merrni njoftimin zyrtar për njohjen e kualifikimit dhe keni një ofertë konkrete për një vend pune, mund të aplikoni si fuqi punëtore e kualifikuar për vizë. Per shkak te pandemise, në shumë raste ardhja e punëtorëve të kualifikuar nga Ballkani u ngadalësua së tepërmi. Përfaqësitë diplomatike gjermane në Ballkan aktualisht punojnë me kapacitete të reduktuara. Zyrat konsullore në Prishtinë dhe Tiranë i kanë reduktuar shumë kapacitetet dhe pranon vetëm ato kërkesa për vizë që nuk preken nga kufizimet e udhëtimit në Gjermani. I vetmi sektor që përfitoi edhe në kohën e krizës ishte ai i shëndetësisë, për shkak se infermierët në këtë kohë të krizës janë shumë të kërkuar në Gjermani. Në këto kohë pandemie si lajm i mirë vjen edhe plani për zgjatjen e Rregullores së Ballkanit Perëndimor, që në vitin 2016 u vendos për të lehtësuar punësimin e migrantëve ekonomikë nga vendet e Ballkanit, për të ulur numrin e azilkërkuesve. Për personat që nuk kanë kualifikimin e mjaftueshëm apo nuk kanë ndonjë kualifikim profesional, vlejnë rregullat e njëjta si më parë. Pra nuk përfshihen me rregullat e reja.

Sa kanë mundur të integrohen shqiptarët në Gjermani?

Qeveria gjermane i ka kushtuar rëndësi të veçantë integrimit të të huajve duke ofruar shumë kurse integrimi, kurse gjuhe dhe këshillim për migrimin. Në përgjithësi, shqiptarët ndjehen të integruar mirë në këtë shtet, por ka nganjëherë edhe paragjykime ose diferencime. Paragjykimet ekzistojnë kryesisht nga individët, ndërsa shteti trajton njëjtë të gjithë. Ndihem shumë krenar dhe i previligjuar, sepse shqiptarët kanë arritur të depërtojnë në të gjitha nivelet e shoqërise gjermane, duke filluar me afaristë, politikanë, mjekë, mësues, sindikalistë, sportistë, muzikant etj etj. Diaspora jonë është pjesë e rëndësishme e kombit shqiptar, e historisë, kulturës dhe zhvillimit politik e shoqëror. Ajo shërben si urë lidhëse mes shqiptarëve dhe popujve të tjerë të botës ku ata punojnë dhe jetojnë.

Z. Osmanaj, ju keni qënë një kohë të gjatë aktiv në jetën politike si në Kosovë poashtu edhe këktu në Gjermani, na tregoni rreth aktiviteteve tuaja?

Me këtë pyetje më keni kthyer në retrospektivë 30 vite prapa. Nga viti 1988-1993 kam studiuar në Universitetin e Prishtinës dega“Letërsi dhe gjuhe Shqipe”. Kanë qenë kohë të vështira si në aspektin politik poashtu edhe atë social. Në vitet 88-90 unioni i studentëve ka qënë shumë aktiv në jetën politike. Organizonim protesta, demonstrata dhe greva kundër regjimit pushtetar. Më kujtohet vendosja e gjendjës së jashtëzakonshme, ku serbia solli rreth 30 mijë policë tjerë në Kosovë për të shtypur vullnetin e popullit tonë liridashës për liri dhe barazi. Në Kosovë në pushtet ishte Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërkaq opozita shoqërore ishte e organizuar në grupe ilegale. Në atë kohë kam qënë i angazhuar në kryesi të forumit rinor te LDK-së për zonën e Pejës dhe Rugovës, ku kam dhënë kontribut si në organizimin e demonstratave poashtu dhe në sensibilizimin e të rinjëve kundër regjimit të Milloshevicit.

Rezistenca qytetare paqësore e LDK-së e pësoi një goditje shumë të rëndë në Konferencën e Dejtonit, në të cilën çështja e pavarësimit të Kosovës nuk u mor parasysh fare. Kjo çoi në përplasjet e para të armatosura me policinë serbe dhe ushtrinë jugosllave në vitin 1997 dhe në daljen në skenë UÇK-së. Në shenjestër te rgjimit serb ishin shumë aktivistë dhe veprimtar të devotshëm. Filluan arrestimet, burgosjet, ndjekjet dhe torturat. Keshtuqë, shumë nga ne edhe u detyruam që të arratisemi.

Ishta sfida më e rëndë që kisha perjetuar ndonjëherë mbi supet e mia. Braktisa atëdheun, familjen, të afërmit, cdogjë dhe mora rrugën e kurbetit. Zgjodha Gjermaninë, sepse kisha edhe tre vlëllezër tjerë që jetonin këtu dhe një shtet me traditë të gjatë demokratike. Në atë kohë, në qytetin e Bochumit vepronte një shoqatë kulturore shqiptare “Skënderbeu”. Aty mblidheshim gati cdo ditë dhe, përpos aktiviteteve kulturore, organizonim edhe demonstrata dhe tubime nga më të ndryshmet, në ngritje të zërit kundër regjimit dhe terrorit shtetëror që bënte serbia në Kosovë.

Mbasi kisha mbaruar studimet në Kosovë, dëshira ime për të bërë edhe këtu dicka ishte shumë e madhe. Fati deshi që në Bochum takova veprimtarin e shquar z. Sabri Kicmarin, i cili më ndihmoi shumë rreth procedurave të regjistrimit në Universitetin e Bochumit. Aty së pari ndjeka të gjitha nivelet e gjuhës gjermane, që më pastaj të filloj me studime në Universitetin e Dortmundit. Për më shumë se 3 vite ndjeka një kolegj në degën e “mediave dhe informatikës”. Disa muaj pata nderin që të jem edhe bashkpunëtor në gazetën më të madhe të gjermanisë perëndimore ”Westdeutsche Zeitung”. Meqë ishte shumë veshtirë për të siguruar një vend pune, vendosa që të studioj në degën për “punëtor social” (Sozialarbeiter). Këtu gjeta vehten shumë mirë dhe, krahas studimeve fitova ketë vend pune në zyrat e migracionit tek (AWO) si këshilletar për refugjatë.

Cka ju shtyri që të angazhoheni sërish në politkë dhe pse e zgjodhet pikërisht LVV-në?

Unë s`kam pushuar kurrë së vepruari në shërbim të cështjes kombëtare. Askush nuk e ka menduar dhe as unë që, do kalojnë shumë vite nga clirimi dhe Kosova (edhepse e monitoruar nga UNMIK dhe BE) ka mbetur vendi me i varëfr dhe më i izoluari në ballkan. U harrua sakrifica e mijërave luftëtarëve të lirisë dhe gjaku i tyre i derdhur për një ditë më të mirë. Une besoj që këtu faji nuk është jetim dhe adresa dihet. I zhgënjyer me klasën politike të Kosovës, gjeta vehten tek Lëvizja Vetëvendosje! Ka qënë viti 2005 kur u takova me z. Kurti dhe pas një konsulltimi, u dakorduam që të bëhën përgaditjet e duhura që LVV të zgjerohet edhe me një degë në Gjermani. Nuk kaloi viti dhe arritëm që të themelojmë Qendrën e LVV për Gjermani dhe kisha nderin që të drejtoj këtë Qendër për 7 vite me radhë. Pas zyrtarizimit të Qendrës tek organet përkatëse gjermane, arritëm të zgjerohemi edhe më shumë, duke themeluar edhe 8 pika të LVV në gjithë territorin e gjermanisë. Shfrytëzoj rastin që të falënderoj të gjithë aktivistët dhe mërgaten për mëbshtetje. Rrethanat jetësore nganjëherë e bëjnë të vehten dhe, ka disa vite që nuk jam angazhuar në ndonjë organizim politik. Diaspora është një potencial me një vlerë shumëdimensionale për Kosovën dhe shpresoj që Kosova të zgjeroj mekanizmat e saj duke ofruar edhe më shumë diasporën tek institucionet e saja dhe jo vetëm duke u`a kërkuar votat dhe mbëshetjen financiare.

Cfarë mund të na thuani rreth situatës politike dhe sociale në Kosovë dhe Shqipëri?

Gjendja sociale, politike e shqiptarëve kudo mbetet e dobët dhe pa ndonjë perspektivë të mirëfilltë. Organizata të ndryshme ndërkombëtare e shohin Kosovën dhe Shqiperine si vende që kanë vështirësi në sundim te ligjit, në luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Kjo është një pengesë për zhvillimin e shtetit dhe të demokracisë. Franca, Holanda dhe Danimarka kundërshtojnë hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe kjo është shqetësuese. Papunësia dhe gjendja e mjerusheme shëndetësore është problemi më i madh me të cilin ballafaqohen qytetarët e të dyja vendeve. Politikanët mendojnë vetëm për xhepat e tyre, mbajnë nga disa vende të punës, shfrytëzojnë pozitat për të punësuar familjarët e tyre, miqtë, ndërsa shumë të rinj të sapodiplomuar duhet të kënaqen nëse arrijnë të gjejnë ndonjë vend pune në gastronomi. Problemet e përditshme të qytetarëve dhe humbja e shpresave për një të ardhme të mirë, është një indikator i shpërthimit të pakënaqësive sociale në vend. Ky zhgënjim po detyron shumë te rinjë, mësues, mjekë dhe infermier që të braktisin vendin.

Shqetësuese poashtu shoh dialogun serbi-kosovë të ndermjetësuar nga BE, gjykatën speciale të Hagës, pandeminë dhe refuzimin e vizave për qytetarët e Kosovës. I frikësohem gjithashtu edhe shtetit të kalbur përbrenda me një qeveri jofunksionale. Përderisa evropa ledhaton serbinë duke ia hapur dyert për anëtarësim të plotë në BE, Kosovës i bën trysni që të themelojë asociacionin e komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive. Grusht të rëndë Kosova mori edhe nga gjykata speciale, duke arrestuar në mënyren më barbare krerët më të lartë të shtetit dhe, kjo ka dëmtuar shumë imazhin dhe funksionalitetin e shtetit Kosovës. BE-ja është e paaftë ose nuk dëshiron që të zgjedhë problemin kosovë-serbi. Kjo neglizhencë, zvarritje po i konvenon vetëm serbisë hegjemoniste, ku në njëren anë dialogon me Kosovën ndërsa në anën tjetër armatoset nga rusia dhe kërcënon shqiptarët me luftë. Frikësohem nga skenarët e mundshëm të serbisë, ku do perdorë serbët e Kosovës për destzabilizim. Prandaj, neve si kurrë më parë na duhet një unitet i brendshëm i gjithë spektirt politik shqiptar dhe, me një zë të pëfaqësohemi si në Bruksel poashtu edhe në Washington. Jemi në zemër te evropës dhe do dëshiroja shumë që Brukseli të zgjedh kete ngërq politik mes Kosovës dhe Serbisë, por nuk besoj që pa ndërmjetësimin e ameriakanëve një gjë e tillë do të ndodhë. Kosova dhe Shqipëria synojnë ta heqin kufirin ndërmjet dy vendeve me qëllim lehtësimin e procedurave të kalimit të njerëzve dhe mallrave dhe kjo është për t`u përshëndetur. Është interes historik, ekonomik dhe është interes i përgjithshëm i shqiptarëve që të bashkohet Kosova me Shqipërinë dhe këtë e dëshmon më së miri edhe një sondazh i fundit, ku mbi 75% e të anketuarve janë pro bashkimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat