PDK formon nëndegë në Kiel, Reçica: Riorganizimi partiak në Gjermani i domosdoshëm

Gjermania

PDK formon nëndegë në Kiel, Reçica: Riorganizimi partiak në Gjermani i domosdoshëm

Më: 1 maj 2023 Në ora: 21:15
PDK

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka zyrtarizuar Këshillin për Organizimin e Kuvendit të Degës së pestë të PDK-së për Gjermani si dhe ka formuar nëndegën e saj në Kiel.

Deputeti i PDK-së, Elmi Rçica ka thënë se me rastin e themelimit të nëndëgës janë mbledhur rreth 150 pjesëmarrës, derisa ka bërë të ditur se kryetar i saj është zgjedhur Ndue Gjini.

“Bashkë me nënkryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës z. Enver Hoxhaj, deputetët znj. Eliza Hoxha si dhe z. Hajdar Beqa, përcollëm punimet e Kuvendit Zgjedhor për nëndegën e PDK-së në Kiel”, thuhet në njoftimin e deputetit Reçica në Facebook.

Reçica ka bërë të ditur po ashtu se gjatë qëndrimit në Gjermani, bashkë me bashkëpartiakët e tij kanë marrë pjesë edhe në zyrtarizimin e Këshillit për Organizimin e Kuvendit të Degës së pestë të PDK-së për Gjermani, kryetar i së cilës është zgjedhur veprimtari dhe afaristi Isa Gashi.

“Mosprania jonë si strukturë, për ta thënë të vërtetën rreth zhvillimeve në vend dhe për PDK-në, ka ndikuar që një pjesë e mërgatës sonë të fillojë të besojë në trillime, gënjeshtra dhe shpifje, efekti i të cilave është manifestuar në rezultatin zgjedhor të PDK-së në Gjermani dhe fuqizimin e një lëvizje politike e cila është dëshmuar me fakte dhe argumente si parti të cilës i mungon koherenca e shtetformimit. Prandaj, riorganizimi partiak i Partisë Demokratike të Kosovës në Gjermani është i rëndësishëm, i nevojshëm, dhe i domosdoshëm”, ka shkruar ndër të tjera deputeti Reçica.

Ai ka thënë se vizioni i PDK-së është që mërgata në vazhdimësi të jetë e informuar dhe e përgatitur që të veprojë së pari për të mirën e Kosovës, të mirën e vet dhe të PDK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat