Një muaj paraburgim të dyshuarit nga Prizreni i cili keqtrajtoi nënën e tij

Kronikë e zezë

Një muaj paraburgim të dyshuarit nga Prizreni i cili keqtrajtoi nënën e tij

Më: 10 qershor 2021 Në ora: 16:18
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, gjyqtari i procedurës – Fidan Hoxha, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë ditë, ndaj T.K i cili dyshohet se ka keqtrajtuar nënën e tij në dy raste të ndryshme.

Përmes komunikatës për medie bëhet e ditur se masa e paraburgimit do të do të llogaritet prej kohës së arrestimit 08.06.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 07.07.2021.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit T.K., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.

“Nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se me datë 5 qershor, në Prizren, saktësisht në shtëpinë e përbashkët familjare, me dashje kryen dhunën ose keqtrajtimin fizik dhe psikologjik apo emocional, me qëllim të cenimit të dinjitetit të të dëmtuarës – nënës së tij, në atë mënyrë që pas disa mosmarrëveshjeve paraprake, i pandehuri T.K., fillimisht e ofendon nënën e tij dhe pastaj i drejtohet me fjalët “dil jashtë, mos rri këtu,” më pas e kap për krahu dhe e shtrëngon me forcë me qëllim për ta dëbuar jashtë shtëpisë , me të cilat veprime tek e dëmtuar ka shkaktuar shqetësim”, sqaron Gjykata për rastin e parë.

Ndërkaq, me datë 07 qershor, pas disa mosmarrëveshjeve paraprake lidhur me jetën e tyre të përbashkët në familje, i pandehuri në gjendje të dehur e keqtrajton emocionalisht nënën e tij.

“Me fjalët “ po du vetë me jetu, kam me ju mbytë krejtve, ti shko në polici me më lajmërua, por unë kur të dal kam me ju mbytë krejtve”, ndërsa ndërmerr veprimin që ta keqtrajtoj fizikisht të dëmtuarën e cila ik në dhomën e saj, me të cilat veprime tek e dëmtuara ka shkaktuar shqetësim”, sqarohet tutje në komunikatë.

“Gjyqtari i procedurës, ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet për caktimin e paraburgimit, duke pasur parasysh rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, duke marrë parasysh se i pandehuri ka ushtruar dhunë brenda familjes së tij ndaj viktimës së ndjeshme – nënës së tij, dhe nga sjellja e mëparshme e të pandehurit i cili është i regjistruar edhe si kryerës i shumë veprave penale të kësaj natyre”, thuhet në komunikatën për medie.

Andaj, nga të lartë cekurat, Gjykata ka vlerësuar se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, për të parandaluar rrezikun e përsëritjes së veprave tjera penale.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat