E theri me thikë në gjoks në diskotekë, tani i akuzuari habit me deklaratën e tij për të dëmtuarin

Kronikë

E theri me thikë në gjoks në diskotekë, tani i akuzuari habit me deklaratën e tij për të dëmtuarin

Më: 30 korrik 2021 Në ora: 07:44
Ilustrim

Shpejtim Gashi është dënuar më 6 muaj burgim me kusht pasi e ka pranuar se kishte therur me thikë Urim Bajrën. Ky i fundit kishte provuar të ndalte rrahjen ndërmjet të akuzuarit dhe disa personave të tjerë që po përlesheshin në një diskotekë në Fushë Kosovë në qershorin e 2018-ës.

Sipas aktgjykimit të shpallur të enjten nga gjykatësja Lumnije Krasniqi, dënimi i shqiptuar me burgim nuk do të ekzekutohet nëse gjatë periudhës verifikuese prej një viti, i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale.

Shpenzimet procedurale sipas gjykatëses Krasniqi, bien barrë e gjykatës për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike.

Pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil.

Ndryshe, shpallja e aktgjykimit është bërë pasi që i akuzuari Gashi, ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.

I akuzuari ka thënë se e pranon fajësinë dhe se tash i ka raportet e mira me të dëmtuarin.

“Po me pranu po, unë për këtë rast muj me t’kallëzu që e kom kry me këta, Jam pajtu, qaty në lagje jena bashkë edhe mo kurrë s’kena pasë probleme”, tha i akuzuari Gashi.

Sipas aktakuzës së ngritur më 1 qershor 2018, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Shpejtim Gashi akuzohet se më 30 gusht 2016 në diskotekën e cila gjendet në lagjen “28” në Fushë Kosovë, për shkak të një mosmarrëveshje që kishte ndodhur mes disa personave brenda ne diskotekë, ku gjatë rrahjes i dëmtuari Urim Bajra tenton t’i ndajë.

Tutje, sipas aktakuzës thuhet se i akuzuari Gashi e kishte goditur të dëmtuarin Bajra me thikë në gjoks nga ana e lartë në të djathtë, me ç‘rast i shkakton dëmtime të cilat kualifikohen në lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 188 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 pika 1.4 të Kodit Penal, ku dënimi parashihet me gjobë ose me burgim deri në një vit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat