Hudhet aktakuza ndaj Nënkryetares së Parlamentit, ngarkohej se pengoi punën e një polici më 2015

Kronikë e zezë

Hudhet aktakuza ndaj Nënkryetares së Parlamentit, ngarkohej se pengoi punën e një polici më 2015

Më: 17 gusht 2021 Në ora: 16:23
Foto ilustrim

 Gjykata Themelore në Prishtinë e ka hedhur poshtë aktakuzën e ngritur ndaj deputetes dhe Nënkryetares së Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, për pengim të personit zyrtar. Ajo ngarkohej se në nëntor të 2015-ës kishte penguar punën e një polici, i cili nuk e kishte lejuar deputeten të kalonte nëpër një rrugë të bllokuar në Prishtinë.

Një vendim të tillë kjo gjykatë rezulton se e ka nxjerrë më 30 shtator të vitit 2020.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 17 nëntor 2017, kishte ngritur aktakuzë ndaj Bogujevcit se kishte insistuar që me çdo kusht të kalonte në rrugën “Migjeni” në Prishtinë edhe pse ishte njoftuar nga zyrtarët policorë që kjo rrugë ishte e bllokuar dhe e njëjta nuk mund të kalonte, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo, pas tre vitesh nga ngritja e kësaj aktakuze, gjykata kishte vendosur ta hedhë poshtë këtë aktakuzë.

Në arsyetimin e vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se Gjykata pas shqyrtimit paraprak të aktakuzës ka gjetur se veprës penale për të cilën ngarkohet Bogujevci, i mungojnë elementet e figurës së veprës penale, përdorimi i forcës apo kanosje serioze, që është element thelbësor në kryerjen e kësaj vepre penale.

Sipas këtij vendimi, në të njëjtën kohë edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë ishte tërhequr nga aktakuza.

“Po më 30.09.2020, gjykata pranoi shkresën zyrtare nga Prokuroria Themelore në Prishtinë se prokurori i rastit pas analizimit të shkresave të lëndës, konstatoi se në këtë rast nuk kemi të bëjmë me vepër penale, prandaj e bën tërheqjen e aktakuzës”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Po ashtu, në vendim thuhet se këto veprime mund të kualifikoheshin si kundërvajtje sipas Ligjit për rendin dhe qetësinë publike, nenit 16 të tij.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 17 nëntor 2017, e akuzuara Saranda Bogujevci akuzohej për veprën penale “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, nga neni 409, par.1 të Kodit Penal.

Siç thuhet në aktin akuzues, e akuzuara Bogujevci më 28 nëntor 2015 në rrugën “Migjeni”, në Prishtinë, fillimisht nuk e kishte respektuar urdhrin verbal të zyrtarëve policorë, të cilët kishin qenë të angazhuar për bllokimin e rrugës në fjalë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi e akuzuara i kishte pyetur zyrtarët policorë se a mund të kalonte në atë pjesë edhe pse ishte njoftuar se nuk mund të kalonte, ajo megjithatë kishte insistuar që me çdo kusht të kalonte, me ç’rast policin, tani të dëmtuarin Ilir Rexha, e kishte penguar në kryerjen e detyrës zyrtare.

“Betimi për Drejtësi” ka tentuar që të kontaktojë me nënkryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës Bogujevci, por e njëjta ka qenë e pa qasshme.

Vepra penale “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, është e dënueshme me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat