“Gjaku deri në gju ka me u ba”/ 7 muaj burg llapjanit që kanosi nënën e tij

Kronikë e zezë

“Gjaku deri në gju ka me u ba”/ 7 muaj burg llapjanit që kanosi nënën e tij

Më: 28 tetor 2021 Në ora: 10:23
Foto ilustrim

B.A është dënuar me 7 muaj burgim, pasi pranoi se ka kanosur nënën e tij me fjalët “pa të vra s’e la ty dhe djalin e saj B”, pas një mosmarrëveshje paraprake.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit u shpall të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega Podujevë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dënimin me 7 muaj burgim, i akuzuari B.A, do ta vuajë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. I njëjti obligohet edhe me shpenzimet e procedurës penale dhe atë 20 euro në emër të paushallit gjyqësor, si dhe 30 euro për kompensimin e viktimave të krimit.
Pala e dëmtuar, për të realizuar kërkesën pasurore-juridike është udhëzuar në kontest të rregullt juridiko-civil.

Tutje, të akuzuarit në fjalë i është caktuar edhe masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.

Paraprakisht, i akuzuari e ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën e ka ngarkuar aktakuza.

Pranimin e fajësisë së tij, e përkrahu edhe mbrojtësi i tij i caktuar sipas autorizimit, avokati Behxhet Muçiqi.

Avokati Muçiqi, mes tjerash deklaroi se pranimi i fajësisë së klientit të tij është bërë pas konsultimit me të, duke kërkuar më tutje masë më të butë, pasi sipas tij paraburgimi është masë e rëndë dhe se sipas tij vetëm se do t’i keqësojë marrëdhëniet familjare.

Lidhur me këtë rast, është deklaruar edhe e dëmtuara, nëna e të akuzuarit, e cila ndër të tjera ka theksuar se ia falë tërësisht këtë rast djalit të saj.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e kundërshtoi as prokurori Arianit Salihu dhe më pas është aprovuar nga gjykatësi Minir Hoti.
Ndryshe, sipas Kërkesë/Aktakuzës së datës 26 tetor 2021, B.A akuzohet se më 25 tetor 2021, në oborrin e shtëpisë së nënës së tij, tani të dëmtuarës Xh.A, për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake dhe inatit të tij, pse dy ditë më parë e dëmtuara e ka njoftuar policinë për veprën penale të lëndimit trupor ndaj të dëmtuarës, i akuzuari, me dashje, seriozisht e ka kanosur me fjalë së do t’i shkaktojë ndonjë të keqe me qëllim të shkaktimit të frikësimit.

Në aktakuzë thuhet që iu drejtua me fjalët “pa të vra se la ty edhe djalin e saj B.”, duke vazhduar më pastaj edhe në prezencën e policisë me fjalë edhe me veprime kërcënuese si “gjaku deri në gju ka me u ba, mbane mend mirë që për këtë punë kanë me shkru edhe gazetat”.

Me këtë rast, tek e dëmtuara si pasojë shkaktohet ndjenja e frikës, ankthit, shqetësimit dhe pasigurisë për jetën.

Andaj, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “kanosje” nga neni 181, par.2 të Kodit Penal, vepër me të cilën kryesi dënohet me gjobë ose me burgim deri në 1 vit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat