Vodhi një televizor në Krushë të Madhe, i akuzuari pranon fajësinë

Kronikë e zezë

Vodhi një televizor në Krushë të Madhe, i akuzuari pranon fajësinë

Më: 7 dhjetor 2021 Në ora: 16:43
Foto ilustrim

Edhe në seancën e të martës në fjalën hyrëse i akuzuari B.M, ka pranuar fajësinë për vjedhjen e një televizori plazma “Samsung 97 cm”, nga i dëmtuari N.Sh.

Ndërsa, të akuzuarit U.T dhe L.B, kanë mohuar ta kenë kryer veprën penale për të cilën ngarkohen, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas kësaj, prokurorja Mone Syla në fjalën hyrëse ka deklaruar se pas administrimit të provave gjykata do të bindet se të njëjtit kanë kryer këtë vepër penale, për të cilën janë akuzuar.

I akuzuari B.M në fjalën hyrëse tha se nuk ka asgjë për të deklaruar përveç asaj që ka deklaruar në seancën fillestare.

“Edhe një herë theksoj se e ndjej veten fajtor, pendohem për veprën e kryer dhe më vjen keq për atë që ka ndodhur”, tha ai, duke shtuar se këtë vepër e ka kryer vetë dhe jo në bashkëkryerje me të akuzuarit tjerë.

Ndërsa, i akuzuari U.T në fjalën hyrëse tha se nuk ka marrë pjesë në këtë rast.

“Unë nuk kam marrë pjesë në këtë rast se sikur të kisha marrë pjesë e kisha pranuar edhe këtë rast, sikurse rastet e tjera, të cilat i kam pranuar”, tha i akuzuari.

Po ashtu, edhe i akuzuari L.B, ka deklaruar se nuk ndihet fajtor duke shtuar se vetëm një herë ka marrë pjesë me një rast të vjedhjes së bashku me të akuzuarit tjerë, për të njëjtën ishte dënuar nga Gjykata e Prizrenit.

“Ne kemi qenë së bashku vetëm me një vepër, kemi qenë të rinj dhe për të njëjtën e kemi vuajtur dënimin e shqiptuar, neve na kanë akuzuar në disa raste se kemi kryer vepra të ngjashme, por jemi dënuar vetëm një herë, ndërsa unë jam liruar në dy-tre raste”, tha i akuzuari.

Pas kësaj, prokurorja Syla i ka propozuar gjykatës që për shqyrtimin e radhës në cilësi të dëshmitarit të ftohet i dëmtuari N.Sh.

Gjykatësi I.R ka aprovuar kërkesën e prokurores Syla, ndërsa seancën e radhës e ka caktuar më 23 dhjetor 2021.

I akuzuari M. e kishte pranuar fajësinë edhe në seancën e 18 nëntorit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë më 16 prill 2018, ndaj B.M, U.T dhe L.B, me të cilën i ngarkon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë”.

Në aktakuzë thuhet se ndërmjet datës 15-17 tetor 2013 në kohë të pacaktuar në fshatin Krushë e Madhe e Rahovecit, me qëllim që vetes t’i sjellin përfitime të kundërligjshme marrin pasurinë e luajtshme të dëmtuarit N.SH.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit B., U. dhe L., në ditën kritike pasi që e planifikojnë vjedhjen, i ndajnë rolet, ashtu që shfrytëzojnë rastin pasi që familja e shtëpisë së dëmtuar gjenden jashtë vendit, në atë mënyrë që nga dritarja e banjës, e cila ishte gjysmë e hapur hynë brenda dhe nga aty marrin një televizor plazma “Samsung 97 cm”.

Në këtë rast, thuhet se të dëmtuarit i shkaktojnë dëm material në vlerë prej 1 mijë e 200 franga zvicerane.

Me këto veprime, të akuzuarit në bashkëkryerje ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë” nga neni 327, par.1, pika lidhur me nenin të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në shtatë vjet.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat