Grupi i dyshuar për përleshjen mes disa personave që përfundoi me të shtëna me armë zjarri, në qershor të këtij viti, te Shisha Bar Zone dhe te Fabrika e Metali, tashëm është identifikuar. Pas disa muajsh në arrati, Policia ka arritur ta kap edhe një person që dyshohet të jetë i përfshirë.
Hetimet Rajonale kanë siguruar prezencën e të dyshuarit gjatë ditës së djeshme dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Media ka mësuar ekskluzivisht se personi i arrestuar është Endrit Imeri, rreth 24-vjeçar.
Lajmin e ka konfirmuar tashmë edhe Policia, me ç’rast është bërë e ditur se ndaj të dyshuarit është urdhëruar masa e ndalimit policor.
“Lidhur me rastin, më 28.08.2024 është arrestuar edhe një i dyshuar mashkull kosovar dhe i njëjti me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje.”
Ndryshe, për rastin, natën kritike, Policia ka arrestuar të dyshuarit Vlerson Rrahimi, Nexhat Haziri dhe Arton Haziri.