Mbajtja e armëve nga të rinjtë tashmë është bërë dukuri që po shqetëson mjaft shumë shoqërinë, sidomos për faktin se i ka prekur edhe të miturit, të cilët shpesh kapen me armë edhe brenda institucioneve arsimore e në afërsi të tyre.
Një dukuri e tillë, sa shqetësuese aq edhe alarmante është vërejtur në shkollën e mesme ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë, ku një nxënës është kapur me një mjet të mprehtë që po e mbante me vete.
Burimet e Gazetës kanë bërë me dije se njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë sekuestruar thikën e nxënësit.
I dyshuari, i moshës 17-vjeçare, është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar si i dyshuar lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, prokurori ka urdhëruar që rasti të iniciohet ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.