Policia e Kosovës në vazhdën e aktiviteteve intensive, me qëllim të parandalimit të trafikimit me narkotikë dhe të kontrabandimit me mallra, nën zbatim edhe të planeve operacionale, ka intensifikuar kontrollet në terren, të cilat kanë rezultuar me identifikimin e një lokacioni ku po kultivoheshin bimë narkotike si dhe parandalimin e kontrabandimit të mallrave.
Përveç bimëve narkotike që janë konfiskuar nga Policia e Kosovës me datën 12 shtator, gjatë vëzhgimit të brezit kufitar të Republikës së Kosovës dhe të Serbisë, në fshatin Stublinë zyrtarët policorë të angazhuar në plan operativ, kanë vërejtur lëvizje të dyshuara të personave dhe automjeteve në rrugë fushore ilegale që lidh dy fshatrat ndërkufitar Dobrosin-Stublinë.
Nga njësitet e angazhuara policore në fshatin e lartcekur është ndaluar automjeti i dyshuar me targa të Serbisë, të cilin e drejtonte e dyshuara femër me shtetësi serbe, si dhe një pasagjer.
Gjatë kontrollit në automjetin e ndaluar kishte pasur të ngarkuara mallra të ndryshme në sasi të mëdha, përfshirë pajisje elektronike, tekstil dhe produkte higjienike.
Lidhur me rastin janë ndërmarrë veprimet përkatëse policore sipas procedurave të parapara, si dhe me urdhër të prokurorit kompetent personat e dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa malli i konfiskuar është dërguar në terminalin doganor për vlerësim nga ana e Doganës së Kosovës.
Po ashtu, me datën 13 shtator, gjatë vëzhgimit në brezin kufitar të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, në rrugën Stublinë-Doberqan, zyrtarët policorë të angazhuar në planin operativ, pasi kanë vërejtur lëvizje të dyshuara të personave dhe automjeteve në një rrugë fushore ilegale që lidh dy fshatrat ndërkufitare Dobrosin-Stublinë, ku në hyrje të fshatit Dobërqan kanë ndaluar dy vetura me targa të huaja, të cilat po drejtoheshin nga dy të dyshuarit meshkuj shtetas kosovarë.
Gjatë kontrollit të automjeteve të ndaluara, janë gjetur të ngarkuara mallra/pjesë të ndryshme (të përdorura) të automjeteve, pajisje bujqësore dhe mjete tjera pune.
Lidhur me rastin, me urdhër të prokurorit kompetent, personat e dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa malli dhe automjetet e sekuestruara janë dorëzuar në terminalin doganor për numërim, vlerësim dhe procedim nga ana e Doganës së Kosovës.