Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Prizrenit në orët e para të mëngjesit të sotëm. Sipas njoftimit zyrtar nga Prokuroria Themelore në Prizren, rreth orës 05:30 në rrugën “Shote Galica”, ka ndodhur një vrasje brenda rrethit familjar.
Bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, dyshohet se një shtetas turk, babai i familjes, ka privuar nga jeta vajzën e tij rreth moshës 15-vjeçare, duke përdorur një mjet të mprehtë – thikë. Viktima ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Ngjarja tragjike ka përfshirë edhe dy anëtare të tjera të familjes. Vajza tjetër, rreth 10 vjeç, ka pësuar lëndime trupore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ajo është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim mjekësor. Edhe bashkëshortja e të dyshuarit – nëna e vajzave – ka marrë lëndime trupore gjatë incidentit.
I dyshuari është vetlënduar, por ndodhet jashtë rrezikut për jetë dhe është në kujdesin e autoriteteve.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, krim-teknikët, përfaqësues të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe vetë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu.
Prokuroria bën të ditur se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti tragjik që ka lënë të tronditur komunitetin lokal.