Përleshje mes të miturave në oborrin e shkollës “Dardania” në Prishtinë – një vajzë përfundon në tretman mjekësor

Kronikë e zezë

Përleshje mes të miturave në oborrin e shkollës “Dardania” në Prishtinë – një vajzë përfundon në tretman mjekësor

Më: 21 maj 2025 Në ora: 07:20
Foto ilustrim

Përleshjet fizike mes nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë po bëhen përditshmëri shqetësuese. Jo rrallëherë incidentet mes të miturve eskalojnë në dhunë fizike, duke përfunduar me pasoja serioze, siç ndodhi edhe gjatë ditës së djeshme në Prishtinë.

Burimet e sinjalit bëjnë me dije se një rrahje mes disa vajzave të mitura ka ndodhur pasditen e së martës në afërsi të shkollës fillore “Dardania”, në rrugën “Rexhep Mitrovica”, rreth orës 14:30.

Siç merr vesh media, si pasojë e sulmit fizik, ka pësuar lëndime L.F., një vajzë rreth 15-vjeçare, e cila është sulmuar nga tri bashkëmoshatare.

Rasti është denoncuar në Polici nga e mitura në prani të nënës së saj, ku ka deklaruar se është rrahur nga A.T., rreth 16-vjeçare, S.J., rreth 14-vjeçare dhe një vajzë tjetër 13-vjeçare. Kjo e fundit, për shkak të moshës, konsiderohet e papërgjegjshme penalisht.

E dëmtuara ka marrë trajtim mjekësor për lëndimet e shkaktuara, ndërsa dy të miturat e para janë intervistuar në prani të prindërve dhe avokatëve. Sa i përket të miturës së tretë, dëgjimi i saj do të realizohet nga Qendra për Punë Sociale pasi të përfundojë trajtimin mjekësor.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurorja kujdestare, duke inicializuar procedurën penale për “Lëndim të lehtë trupor” dhe ka lëshuar aktvendim për ndalimin e të dyshuarave të mitura, në përputhje me procedurat e drejtësisë për të mitur.

Rasti aktualisht mbetet nën hetime, ndërsa pritet që institucionet relevante të ndërmarrin hapat e nevojshëm për vlerësimin psiko-social dhe trajtimin institucional të palëve të përfshira.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat