Një alarm për një mjet të dyshuar shpërthyes në stacionin e autobusëve në Gjakovë ka ngritur në këmbë njësitet e sigurisë, por ajo që fillimisht u konsiderua rrezik për sigurinë publike rezultoi të ishte vetëm një element skenik. Burimet e Gazetës Sinjali kanë zbuluar detajet e një rasti që ka ngjallur panik, por që përfundoi si një keqkuptim i paqëllimshëm, që lidhet me një shfaqje teatrore.
Burime të sigurta të Sinjalit bëjnë me dije se më 2 qershor 2025, rreth orës 18:30, është raportuar një mjet i dyshuar për eksploziv, i dërguar me linjën “Kushtrimi NM” nga Gjakova për në Prishtinë.
Dy punonjës të kompanisë, V.G., rreth 42-vjeçar dhe K.M., rreth 47-vjeçar, kishin pranuar një porosi nga një person i panjohur, për ta dorëzuar në Prishtinë. Por, pasi askush nuk ishte paraqitur për ta marrë pakon, ajo ishte kthyer në Gjakovë, ku pas hapjes u gjet një jelek i dyshimtë, për të cilin dyshohej fillimisht se mund të ishte i pajisur me eksploziv.
Në vendin e ngjarjes reaguan me urgjencë njësitet relevante të Policisë, përfshirë njësinë e deminimit, që e largoi dhe analizoi mjetin e dyshuar.
Pas hetimeve të shpejta nga Sektori Rajonal i Hetimeve – DRP Gjakovë, është konstatuar se pakoja përmbante një jelek të improvizuar, që ishte pjesë e kostumografisë së Teatrit “Hadi Shehu” në Gjakovë, i destinuar për një shfaqje teatrore / xhirim filmi në Prishtinë.
Dërguesja është kostumografe e punësuar në Teatër, ndërsa porosia ishte bërë me aprovim të drejtoreshës së institucionit. E njëjta është intervistuar nga Policia, ndërsa pranuesja e jelekut në Prishtinë – gjithashtu kostumografe – është identifikuar dhe pritet të intervistohet në vazhdim.
Rasti është klasifikuar fillimisht si “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa aktualisht po trajtohet si ngjarje e mbyllur me karakter procedural, pa ndonjë element kriminal të qëllimshëm.
Hetimet janë në përfundim dhe Prokuroria është informuar për të gjitha zhvillimet.