Policia e Kosovës ka kryer sot disa aksione ku ka gjetur dhe konfiskuar një sasi të produktit Collagen Peptides, si dhe ka arrestuar një person.
Aksioni në koordinim me Doganën e Kosovës ka nisur pasi hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, kishin pranuar një informatë se persona të dyshuar janë duke prodhuar dhe shpërndarë ilegalisht produktin Collagen Peptides 200 gramë, duke e shitur po ashtu ilegalisht përmes rrjeteve sociale, raporton KosovaPress.
Me këtë rast janë lokalizuar dy posta të shpejta përmes së cilave janë shpërndarë produktet e falsifikuara, ndërsa më pas është identifikuar një person dhe një objekt në Ferizaj, ku produktet janë ripaketuar dhe ambalazhuar.
Gjatë operacionit policor janë sekuestruar dhjetë thasë paketime prej 6.8 kilogramëve të mbushur me lëndë të parë, proteine "REALMASS" e cila pas ripaketimit në pako me të vogla kuti plastike – imitim online është shitur si Collagen, njëmijë e pesëqind copë ambalazh plastik, imitim i paketimit origjinale të produktit, njëmbëdhjetë pako të gatshme për shitje në treg, si dhe një sasi e konsiderueshme etiketash me mbishkrimin Collagen.
Në magjistralen Prishtinë-Pejë, te selia e njërës nga postat e shpejta, janë gjetur edhe
tridhjetë pako të porositura e të gatshme për t’ua dërguar klientëve, kurse në Lipjan, po ashtu të një postë tjetër e shpejtë, janë gjetur dhe konfiskuar tri pako të porositura e të gatshme për t’ua dërguar klientëve.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe me aktvendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i njëjti lirohet në procedurë të rregullt.