Një incident me të shtëna armësh ka alarmuar banorët e fshatit Llukar në Prishtinë, pasditen e së shtunës.
Burimet e medias brenda Policisë bëjnë me dije se më 28 qershor 2025, rreth orës 14:00, është raportuar për të shtëna nga një veturë me targa 01-900-CY në Rrugën “Gollaku”. Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur katër gëzhoja të armës zjarri.
Pas hetimeve të shpejta operative, Policia ka siguruar prezencën e dy të dyshuarve: Sh. G., 27 vjeçar dhe L. G., 26 vjeçar, të cilët janë intervistuar në prani të avokatëve.
Burime të besueshme kanë konfirmuar për sinjalin se vetë Sh. G. ka dorëzuar armën me të cilën dyshohet se është shtënë – një pistoletë, së bashku me një karikator dhe katër gëzhojat e përdorura.
Me urdhër të Prokurorit Kujdestar, është kryer edhe një bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, por nuk është gjetur asnjë send tjetër i dyshimtë.
Në përfundim të veprimeve hetimore, Prokuroria ka udhëzuar që ndaj tyre të iniciohet rasti për “Armëmbajtje pa leje” dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.