Tre persona dyshohen se janë përfshirë në një rrahje Dumnicë të Podujevës. Njëri prej tyre dyshohet se u lëndua me sëpatë e tjetri me armë zjarri.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë, rasti u iniciua si “Vrasje në tentativë”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Pjesëmarrje në rrahje”, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Dumnicë e Poshtme, Podujevë / 02.08.2025-20:44.Janë arrestuar tre të dyshuar kosovarë pasi të njëjtit për motive të panjohura janë përfshirë në rrahje në mes veti, dhe dyshohet se gjatë përleshjes ka pasë edhe të shtëna me armë zjarri. Si pasojë, njëri nga të dyshuarit ka pësuar lëndime nga një mjet i fortë-sëpatë, ndërsa i dyshuari tjetër është plagosur me armë zjarri. Të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK, ndërsa i dyshuari që ka shtënë me armë zjarri është arratisur nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftim. Bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar: dy vetura-njëra e dëmtuar, një sëpatë, dy sprej një shkop metali dhe tre zinxhirë dore.
“Lidhur me rastin është informuar e konsultuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin”, njofton Policia.