Operacion antidrogë në kryeqytet: Policia sekuestron mbi 200 kg substancë të dyshuar narkotike

Kronikë

Operacion antidrogë në kryeqytet: Policia sekuestron mbi 200 kg substancë të dyshuar narkotike

Nga: Bota sot Më: 29 tetor 2025 Në ora: 21:00
Policia sekuestron mbi 200 kg substancë të dyshuar narkotike

Një aksion i përbashkët i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar për posedim të substancave narkotike.

I dyshuari, me inicialet S.J., është ndaluar në rajonin e Prishtinës, ku gjatë kontrollit të një kamioni që ai po drejtonte, hetuesit kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme narkotikësh, që dyshohet të jetë mbi 200 kilogramë.

Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi është bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, po vazhdojnë me veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi.

Me vendim të Prokurorisë Speciale, i dyshuari S.J. është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet rreth rastit pritet të vazhdojnë për të zbuluar rrjetin e mundshëm të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë ritheksuar përkushtimin e tyre në luftimin e trafikimit të narkotikëve, duke siguruar se do të vijojnë ndjekjen penale ndaj të gjithë personave të përfshirë në këtë dukuri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat