Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet V.K., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “vrasje në tentativë”.
Sipas aktakuzës, më 14 shtator 2025, rreth orës 11:00, në rrugën “Washington” në Gjakovë, në hapësirën e jashtme të kafiterisë “C.P.”, pas një mosmarrëveshjeje të çastit, i pandehuri V.K. me dashje ka tentuar t’i marrë jetën të dëmtuarit R.B., gjithashtu nga Gjakova.
Në rrethana të konfliktit, i pandehuri ka nxjerrë një thikë dhe fillimisht e ka goditur të dëmtuarin në krahun e majtë të dorës. Pas kësaj, i dëmtuari ka reaguar duke e goditur me një shpuzore plastike të duhanit në pjesën e majtë të kokës, por i pandehuri ka vazhduar sulmin, duke e goditur atë edhe në pjesë të tjera të trupit – në regjionin abdominal, në vithe dhe në duar.
Prokuroria njofton se pas përfundimit të hetimeve, ka siguruar prova të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzës dhe çështja tashmë është dërguar në Gjykatë për shqyrtim.