Zyrtarët doganorë të Kosovës kanë ndaluar sot në pikën kufitare Merdarë një sasi të konsiderueshme produktesh kozmetike të padeklaruara, gjatë kontrollit të detajuar të një automjeti që po hynte në vend.
Sipas një postimi të Doganës së Kosovës në Facebook, gjatë kontrollit janë zbuluar mallra për të cilat pala nuk kishte paraqitur dokumentacion përcjellës, ndërsa vlera e përgjithshme e tyre vlerësohet të jetë rreth 1,600 euro.
Produktet janë ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave ligjore, ndërsa ndaj personit të përfshirë është inicuar procedurë për kundërvajtje doganore, në përputhje me Kodin Doganor dhe të Akcizës së Kosovës.
Nga Dogana është theksuar se institucionet mbeten të përkushtuara në parandalimin e hyrjes së produkteve të pasigurta dhe të padeklaruara në treg, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe zbatimit të ligjit.