Dy mësimdhënës janë përfshirë në një përleshje fizike në shkollën e mesme në Ferizaj rreth orës 09:25 të djeshme, në korridorin pranë sallës së mësimdhënësve.
Ngjarja është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë Rajonale të Ferizajt, Kanun Veseli, për median, ku sipas tij, të dy mësimdhënësit janë intervistuar nga policia dhe rasti është regjistruar si “shënim zyrtar” me urdhër të prokurorit.
“Më datë 29.01.2026, rreth orës 11:15, policia ka pranuar një informacion se në një shkollë të mesme në Ferizaj, dy mësimdhënës janë përfshirë në një përleshje fizike.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:25 në korridorin pranë sallës së mësimdhënësve, ku janë përfshirë dy profesorë. Situata është qetësuar menjëherë nga drejtoria e shkollës. Të dyja palët janë paraqitur në stacion policor dhe janë intervistuar nga Njësia e Hetimeve. Me urdhër të prokurorit, rasti është përpiluar “shënim zyrtar”, konfirmoi Veseli.