Zjarr i madh në Viti, dëme në dyqanin e teknikës së bardhë, dyshohet nga energjia elektrike

Kronikë

Zjarr i madh në Viti, dëme në dyqanin e teknikës së bardhë, dyshohet nga energjia elektrike

Më: 22 maj 2026 Në ora: 16:25
Pamje nga vendi i ngjarjes

Mesditën e sotme një zjarr i madh përfshiu një dyqan të teknikës së bardhë në Viti, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa nuk ka të lënduar.

Ekipi i zjarrfikësve ndërhyri menjëherë duke e shuar zjarrin.

Komandanti i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në komunën e Vitisë, Hetem Jakupi, tha se ende nuk dihen shkaqet e këtij zjarri, por nuk e përjashtoi mundësinë që energjia elektrike ta ketë shkaktuar këtë zjarr të madh.

Jakupi: Dëmi është i madh, shkaqet nuk dihen, mund të jetë energjia elektrike

“Ka ndodhur një zjarr dhe ekipet e zjarrfikësve janë lajmëruar për këtë zjarr. Menjëherë kanë marrë masat me dy automjete fillimisht dhe pastaj kanë ardhur automjete të tjera. Ka qenë teknikë e bardhë. Nuk e dimë çmimin, se sa është vlera, por ka vlerë të madhe dhe dëm të madh….Jo për momentin shkaktarët nuk dihen, për shkak se derisa të stabilizohet dhe inspektorët e parandalimit të zjarrit me personel të tjerë e bëjnë një incizim të thellë të vendit të ngjarjes dhe dalin me pikënisjen e zjarrit dhe shkaktarin e zjarrit… Mund të jetë energjia elektrike. Janë shume faktorë që shkaktojnë zjarrin”, tha ai.

Komandanti Jakupi tha se ky zjarr i madh kishte rrezikshmëri e lartë edhe për ekipet e zjarrfikësve.

Jakupi: Ky zjarr i madh kishte rrezikshmëri e lartë edhe për ekipet e zjarrfikësve.

“Për fat të mirë persona të lënduar nuk ka. Ka qenë rrezikshmëri e lartë edhe për ekipet e zjarrfikësve, por për fat të mirë nuk ka asnjë zjarrfikës të lënduar”, deklaroi ai.

Ndërsa, një nga dëshmitarët, Enver Rexhepi, tha se kishte parë tymin nga objekti dhe dyshon se shkaku mund të ketë qenë energjia elektrike.

Rexhepi: Kur dola e pashë tymin në të dyja anët, zjarrfikësit erdhën brenda pesë minutash

“Punoj si berber këtu dhe kur dola e pashë tymin në të dyja anët. Se nga ka ardhur ky zjarr siç po shihet nga rryma se diçka tjerët nuk ka. Zjarrfikësit brenda pesë minutave erdhën”, tha ai.

Në vendin e ngjarjes dolën edhe njësitet policore, hetues policor dhe u njoftua prokurori i Shtetit, ndërsa për të parë situatën nga afër erdhi edhe kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti.

KosovaPress tentoi të marrë deklarata edhe nga pronarët e dyqanit, por nuk kanë dashur të flasin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat